
Situata rreth trajnerit aktual të Vllaznisë Armando Cungu duket e paqartë. Ai prej disa kohësh ka shprehur shqetësimin e tij nëse do të vazhdojë në krye të kësaj skuadre apo jo nisur nga problematikat që e kanë shoqëruar gjatë punës së tij pesë mujore me të. E ndërsa ka pritur një përgjigje nga drejtuesit e klubit dhe ata të Bashkisë për këtë çështje,deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje. Një situatë e tillë sigurisht që nuk është shumë e favorshme për ekipin shkodran megjithatë ky është realiteti. Vetë trajneri dje ka vijuar normalisht stërvitjen dhe do ta bëjë këtë gjë deri më 31 maj kur dhe përfundon marrëveshja e parë që ka patur me këtë klub dhe nëse deri atë ditë nuk merr ndonjë përgjigje për të ardhmen, do të mendojë për ofertat e tjera që i kanë ardhur. Cungu nuk ka dashur të përmendë emra ekipesh të cilët e kanë kontaktuar por është mjaftuar duke thënë se ofertat asnjëherë nuk i kanë munguar dhe për këtë ndjehet i lumtur. Burime pranë tij bëjnë të ditur se në adresë të trajnerit 43 vjeçar kanë mbërritur disa oferta. Madje edhe nga Skënderbeu kampion ka patur sinjale ditët e fundit,ashtu si dhe nga Flamurtari i cili tentoi ta merrte që në janar.Por nga ana tjetër,skuadra e fundit që ka dalë në skenë është Luftëtari i Gjirokastrës i cili me ngjitjen në Superligë duket se ka një projekt serioz dhe për këtë arsye tenton ta nisë që nga marrja e Cungut i cili vite më parë edhe ka luajtur me këtë skuadër. Por jo vetëm kaq. Trajneri shkodran duket se “i ka mbetur fiksim” drejtuesve të Shkëndisë së Tetovës që po tentojnë për të tretën herë t’i bëjnë një ofertë joshëse për ta patur në pankinën e tyre. Gjithsesi akoma nuk është vendosur asgjë. Njëri nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit shqiptar të këtyre viteve të fundit, po kërkon mesa duket edhe pak kohë për të vendosur. Ngaqë pret Vllazninë dhe këtë mesa duket do ta bëjë edhe për jo shumë ditë.
© shkodrasport.com