Trajneri i Kukësit, Armando Cungu ka folur për ‘Supersport’ në përfundim të ndeshjes ndaj Skënderbeut, duke u shprehur i kënaqur me lojën e skuadrës së tij, ndërkohë që e pranon se Kukësi mund të kishte shënuar më shumë.
“Do të shoh se kush do të rikthehet dhe është herët për të thënë si do luajmë javët tjetra. Jemi në moment të mirë dhe kemi një shpirt gare dhe karakter. Nëse nuk ke karakter mungojnë shumë gjëra. Karakteri e bën edhe sistemin e lojës. Në 3 javët e fundit po bëjmë mirë.
Një sulmues duhet të shtyjë para dhe Rexhinaldo mund të dilte i vetëm para portës, por ka qenë i dëmtuar dhe prandaj nuk e futa titullar. Shpehar harxhoi shumë energji. Ka pasur shqetësime dhe ka luajtur me Kamzën në terren të vështirë, 90 minuta me Luftëtarin dhe të bën të kesh trauma muskulore. Në mëngjes vendosa mos ta sakrifikoj Rexhinaldon.
Sa i përket presionit, ushtruam në të dyja pjesët dhe me pak kujdes mund ta ndëshkonim sërish kundërshtarin. Rexhinaldos edhe po t’i thuash mos bëj presing, ai bën. Jep maksimumin gjithmonë. Kalaja është lojtar krahu dhe ka pasur minuta por do të ketë sërish. Lojtarët e krahut po luajnë mirë dhe shihet në ndeshjet e fundit me Çyrbjen dhe Et’hemin.
Kemi vështirësi por ekipi po luan mirë. Po krijojmë shumë mundësi dhe në pjesën e parë ishin 2 raste të pastra për të shënuar. Po vijnë edhe pikët e pak rëndësi ka nëse gabon portieri apo kemi meritë ne. Nuk kemi hyrë për t’i bërë presion askujt. I marrim ndeshjet një nga një dhe nuk shohim se çfarë ndodh pas 7 javësh.
Sulmues apo mesfushor në merkato? Jam shumë i kënaqur dhe konkurrenca nuk i bën keq askujt, por vetëm ndihmon. Gjithmonë kam qenë partizan i lëvizjeve të pakta. Kur grupi ecën mirë, nuk dua shumë lëvizje. Është e dukshme që vuajmë te goli dhe dihet përgjigja”, u shpreh Cungu/vipsport/