Të dielën ka qenë në stadium për të ndjekur ndeshjen Vllaznia- Besëlidhja dhe prania e tij në atë numër të pakët tifozësh, sigurisht që ka rënë në sy menjëherë. Armando Cungu megjithatë në një prononcim të dhënë në “Sport Arena” ka shpjeguar edhe arsyen e pranisësë tij në stadium të dielën.

“Arsyeja e vetme pse unë isha në stadium në ndeshjen Vllaznia- Besëlidhja ishte për me ken një shkodran më shumë në shkallët e stadiumit, një tifoz më shumë për Vllazninë. Të paktën për ta mbështetur nga ana morale”- është shprehur trajneri aktual i Laçit.

I pyetur ndërkohë nëse vazhdon të jetë ende tifoz i kuqebluve, ai ka shtuar: “Si mund të jetë ndryshe për një shkodran. Unë jam me Laçin apo me çdo ekip tjetër ku mund të aderoj sepse ma kërkon profesionalizmi të bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme, qoftë edhe atëherë kur luaj ndaj Vllaznisë. Por kurrsesi nuk mund t’i them vetes që nuk jam shkodran dhe që nuk e kam Vllazninë në zemër. Kjo është larg mendsh për ta menduar”.

Duke shfrytëzuar praninë në studio gjatë këtij emisioni të sponsorit të ri të Vllaznisë Alban Xhaferi, Cungut i është kërkuar nëse do të kishte ndonjë këshillë për të dhe trajneri i njohur ka thënë: “Këshilla ime është shumë e thjeshtë. Vërtetë leku është çdo gjë dhe po kështu edhe në futboll sepse për të patur një ekip cilësor, por mbi të gjitha duhet të kesh dëshirën e mirë dhe pastërtinë e duhur për të bërë një punë.

Këtë gjë në fakt bën Laçi. Ka një president prej vitesh, të paktën prej 12 vitesh në Superligën shqiptare, që me investime jo të rangut të ekipeve me emër, por me djem të rinj e me dëshirë, menaxhon në mënyrën më të mirë të mundshme ekipin e vet. Ka një staf të reduktuar, jo se nuk ka dëshirë, por ne shqiptarët nganjëherë nuk kemi dëshirë të kemi shumë njerëz rreth vetes.

Kështu që sa ma pak njerëz, sa më i shkurtër të jetë zinxhiri, aq më i mundur është kontrolli i punës, korrektësia dhe prandaj vjen edhe suksesi. Pra, duhen gjetur njerëzit e duhur dhe të kenë dëshirën e duhur për të punuar fort dhe për të çuar emrin e Vllaznisë sa më lart. Duke e njohur edhe zotin Xhaferi, shpresoj që ai të jetë njeriu i duhur për ringritjen e kësaj skuadre aty ku duhet”.

Dhe përgjigja e Xhaferit ka qenë e menjëhershme: “Me Armandon kemi një njohje të vjetër dhe ai si trajner është një vlerë shumë e madhe për qytetin dhe kjo edhe ajo që na shqetëson sepse Vllaznia ka eksportuar emra të mëdhenj gjithëandej dhe ka ngelur për vete në këto nivele. Këshilla e tij është shumë e vyer dhe shumë e drejtë faktikisht. Ajo fjala e tij sidomos që “leku nuk është gjithçka”, është këshilla e duhur dhe më e sakta”.
www.shkodrasport.com