Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, ishte dukshëm i zhgënjyer pas humbjes kundër Partizanit, duke e vënë theksin te loja e mirë e skuadrës së tij dhe te rastet e humbura, pa harruar mungesat e rëndësishme. Për Cungun problem i madh tashmë është gjetja golit, sepse gjithçka tjetër po shkon mirë.
“Keqardhja është e madhe, ka edhe momente nervozizmi, sepse Kukësi ka dominuar ndaj çdo kundërshtari këtë sezon, duke krijuar volum e raste, por ajo që është për të kritikuar është pasimi i fundit dhe shënimi i golave, që nuk po vijnë çuditërisht. Nuk kam shumë për të thënë, sepse Kukësi po luan futboll, por pikët po mungojnë dhe ato vlejnë.
“Mungesat e Musollit dhe Rrumbullakut? Janë dy lojtarë mjaft të rëndësishëm, që kanë vite te Kukësi dhe janë mësuar me fitore e trofe. Që të dalësh kampion, të duhen kampionë.
Partizani ka lojtarë me eksperiencë, por edhe të rinj që marrin përgjegjësi dhe që dinë të vendosin ndeshjen, si Asani, ndërsa kjo na mungon ne në këtë moment.
“Distanca me kreun? Nuk është e vogël, kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në mbyllje të fazës së parë dhe do të vijë momenti që edhe kundërshtarët do të gabojnë, siç kemi gabuar ne.
Këto dy javë na shërbejnë, për të rigjetur qetësi dhe për të kuptuar se kampionati fitohet në fushë, jo thjesht me fjalë. Deri dje jemi kritikuar që ekipi nuk prodhon, por fiton, ndërsa tani kritikohemi se prodhon e luan, por nuk shënon.
“Rexhinaldo? Ka bërë mirë më parë, është lojtar goli. Nuk ka qenë në nivelin që pritet në këto dy ndeshje. Nuk ka munguar kërkesa e llogarisë nga unë, por kemi pak alternativa për të dhe kjo është një problematikë që duhet pranuar edhe pse presidenti ka qenë mjaft aktiv.
Ai e ka bërë detyrën e tij duke investuar, por nuk kanë qenë të suksesshëm ato lojtarë që mund të jenë alternativa për të. përgjegjësia do ishte më e madhe sikur të kishte pak më shumë konkurrencë”.
“Penalltia e pretenduar? Gjyqtari është shumë afër dhe është vendim i tyre. Nuk mund të gjykoj unë. Përveç këtij rasti gjykimi ishte shumë korrekt. Edhe në Korçë ishin shumë korrekt, 11-metërshi ishte atje. Komplimente për gjyqtarët”.
“Merkato? Është e nevojshme ndërhyrja në janar, pasi lojtarët që kemi në dispozicion i kem i aktivizuar dhe u është dhënë mundësia. Edhe Partizani nuk është se ka një lojtar që shquhet para porte, por golat shpërndahen. Kundërshtari ka lojtarë me eksperiencë dhe me personalitetin e duhur, por dhe të rinj që marrin përgjegjësi dhe bëjnë diferencën.
Ndërhyrja në merkato është evidente. Ne gabuam sapo nisi ndeshja, pasi mjaftonte vetëm ta frynte dhe jo ta godiste. i kemi ndryshuar lojtarët e krahëve për të krijuar diçka më tepër, por kontributi në përgjithësi ka qenë shumë i vakët”./telesport/