Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, mund të jetë një nga emrat më të lumtur mes teknikëve të Superiores pasi klubi i ka plotësuar thuajse çdo dëshirë që ai kishte në merkato duke afruar emra cilësorë. Por teknikun e shqetëson forma e këtyre futbollistëve dhe përshtatja me pjesën tjetër.
Ndaj në intervistën e dhënë për “SuperSport”, tekniku thekson se emrat e rinj që i janë bashkuar verilindorëve, duan kohën e tyre që të tregojnë më të mirën në fushën e lojës. Kjo do të thotë se ndaj Flamurtarit nuk do të jetë e lehtë të merren tri pikët, pavarësisht problemeve të skuadrës vlonjate.
Përgatitjet për Flamurtarin
“Futbolli jo gjithmonë ecën me histori, ecet me momente. Nuk është e rëndësishme se çfarë ka bërë më parë Kukësi me Flamurtarin, është ndeshje që duhet vlerësuar e respektuar maksimalisht nga ekipi ynë, pavarësisht problematikave që shfaq kundërshtari. Ka shumë brumë e cilësi brenda, natyrshëm nuk është e lehtë për të marrë fitoren kundër Flamurtarit, aq më shumë në fushën e vet. Por do të përgatitemi për të marrë maksimumin e fitoren”.
Merkato që ka bërë klubi
“Normalisht që prurjet janë cilësore dhe kjo është evidente. Klubi ka bërë një punë të mirë me afrimin e lojtarëve të tillë. Por ata duan kohën e tyre të përshtatjes, shpresojmë që të jetë sa më shpejt pasi është në të mirë të individit por edhe të klubit. Kushdo që vjen të Kukësi, trajner, sportist, cilido qoftë, objektivat e Kukësit nuk ka pse ia thotë kush, duhet ta dijë vetë. Një profesionist duhet të reagojë si profesionist në konkurrencë”.
Situata me dënimin e Rexhinaldos
“Personi që drejton klubin është presidenti dhe natyrshëm kërkon maksimumin nga çdo individ. Ashtu siç është kontrata që mban të lidhur një individ me benefitet, ka edhe me penalitetet e saj. Natyrshëm që çdo individ që nuk i përgjigjet klubit me korrektësi, në çdo klub të botës ndodhin dhe janë mëse normale për të pasur penalitete. Askush nuk i do, as unë, kam dëshirë që të gjithë të japin maksimumin, por futbollistët duhet të fokusohen e të jenë seriozë për të bërë më të mirën për veten fillimisht e pastaj klubin”.
Trysnia nga kërkesat që ka klubi
“Presioni është që nga dita që fillon aktiviteti, që në verë, te çdo ekip, aq më tepër te Kukësi i cili prej 7 vitesh është faktor për futbollin shqiptar. Ndaj këtu presioni është normal brenda logjikës së futbollit dhe objektivave të klubit”. /vipsport/