Tek Vllaznia janë ende në pritje të takimit të drejtuesve të klubit me ato të stafit teknik, në rradhë të parë për të analizuar atë çfarë ka ndodhur në sezonin e fundit por edhe për të vendosur se çfarë do të bëhet në sezonin e ri. Kjo e fundit ka më shumë rëndësi sepse ditët kalojnë dhe tek
kuqeblutë ende nuk ka asnjë lëvizje. Kjo natyrisht që ka shqetësuar stafin teknik i cili përmes trajnerit Armando Cungu ka bërë të ditur se stërvitja duhet të nisë medoemos në javën e fundit të qershorit ose maksimumi në fillim të korrikut sepse ndryshe do krijojë probleme.
“Unë si trajner e kam të qartë se kur duhet të nisë stërvitja dhe çfarë duhet të bëj. Padyshim që në javën e fundit të qershorit futbollistët duhet të jenë në fushën e stërvitjes ose maksimumi në fillim të korrikut sepse nëse nuk ndodh kështu, atëherë do krijohen probleme. Kampionati zakonisht fillon në javën e fundit të gushtit dhe prandaj ekipi do kohën e vet për t’u bërë gati. Shpresoj që shumë shpejt shumë pikëpyetje që kemi për vazhdimësinë, të marrin përgjigjen e duhur nga drejtuesit e klubit dhe ne të nisim punën”- ka thënë ai. Kampionati ka dy javë që ka përfunduar dhe tek Vllaznia akoma nuk dihet se kur do të nisë stërvitja dhe se kush do të jenë lojtarët që do ta përfaqësojnë atë në sezonin e ri. Pyetje këto që ende nuk dihet se kur do të marrin përgjigje.
www.shkodrasport.com