
Akuzat e fundit të ndonjë personazhi politik në Shkodër se Skënderbeu ka paguar për të dënuar me kartona futbollistët e Vllaznisë në ndeshjen e fundit ndaj Korabit apo dhe ato të tjerat se futbollistë të veçantë të skuadrës dibrane kanë toleruar kuqeblutë, nuk janë pritur aspak mirë nga ana e trajnerit të Vllaznisë Armando Cungu. “Ju siguroj se Vllaznia ka marrë një fitore të pastër jo vetëm këtë herë ndaj Korabit por në çdo përballje të mëparshme ku ajo ka arritur të marrë pikë. Të thuash se na kanë toleruar apo se ka ndërhyrë Skënderbeu për të na dënuar lojtarë në mënyrë që ai ta ketë të lehtë fitoren në Shkodër, besoj se janë gjëra të pamoralshme. Ky është një turp për ato që i flasin këto gjëra sepse në mendimin e tyre është përbaltje e punës që po bëhet tek Vllaznia. Ju siguroj se do të bëjmë maksimumin të shtunën për të marrë pikë ndaj Skënderbeut. I gjithë ky sulm mendoj dhe kam dëgjuar se është një sulm politik por kërkoj që politika të qëndrojë larg Vllaznisë sepse ky ekip nuk është i asnjë force politike por i qytetit të Shkodrës”. Ndodh edhe kështu. Pikërisht në momentet kur të gjithë duhet të jenë pranë Vllazninë në këtë moment kur kampionati shqiptar ka hyrë në pikën e tij më të vështirë, ndodh që ndaj kuqebluve të nisin sulmet nga të tëra anët dhe ajo çka është më e keqja, për tolerime apo ndërhyrje të ekipeve të tjera brenda tyre. Për të gjitha këto, skuadra shkodrane të shtunën do të bëjë çmos të kërkojë pikë me korçarët pavarësisht se mungesat që do të ketë, do të jetë shumë e vështirë.
