Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu deklaroi pas ndeshjes se ai dhe ekipi duhet t’u kërkojnë falje tifozëve për atë që prodhuan në fushë në humbjen me Teutën. Vllaznia vinte pas fitores me Lushnjën, çka solli një numër të madh tifozësh në “Loro Boriçi”. “Duhet të jemi me këmbë tokë. Sa fitojmë, në Shkodër flasim për një Vllazni europiane, por më mirë se mua askush nuk e njeh situatën dhe gjendjen ekipit.
Çaluam në mesin e fushës. Fitoi Teuta ngaqë na bllokoi në mesin e fushës, pasi Hasani dhe Vucaj nuk janë në gjendjen maskimale. Ata janë bashkuar vonë me ekipin dhe iu duhet pak kohë të fitojnë formën fizike. Atsina nuk po shënon? Nuk është problemi vetëm tek ai. Vllaznia nuk ka lojtar goli. Nuk u afruan lojtarë për të marrë në dorë fatet e Vllaznisë; nuk është thënë që një sulmues i vetëm të zgjidhë fatin e ekipit. Ekpi është i paplotësuar, kemi pika të dobëta, të cilat do të ndijojnë në vazhdimësi. Kemi vetëm 18-19 lojtarë që mund të përdorësh, të tjerët janë të rinj, kampionati është gjatë.
Mungesa e ritmit? Nuk kemi freskinë e duhur në mesfushë, ndoshta dhe nga presioni që luajnë në shtëpi. Vucaj është hera e parë që luan në shtëpi, po ashtu dhe Hasani ka ikur 16-17 vjeç nga Shkodra.Aktivizmi i Gurishtës në mbrojtje? Gurishta e ka justifkuar aktivizimin, nga ana tjetër mbrojtësi Marku vjen nga një operacion dhe nuk ka qenë në gjendjen optimale. Humbja e parë dhe tifozët e shumtë? U kërkojmë edhe falje, pasi kishin menduar një Vllazni tjerër. Tifozët në Shkodër janë shumë të ndjeshëm, me një fitore i sjell në stadium, por nëse humbet do kohë që t’i risjellësh. I kuptoj tifozët dhe kërkoj ta mbështesin Vllazninë.