Armando Cungu, trajneri i përfaqësueses U19 dhe ish-trajneri në vitet e fundit i skuadrave të Vllaznisë, Kukësit e Laçit, ka bërë analizën e ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë duke e cilësuar surprizë finalen e këtij turneu. Në “Skaner” ai theksoi se dy ekipet e merituan, por ndërkohë shtoi se kishte mbetur i çuditur nga Teuta pasi priste diçka tjetër.
“Pas disa oshilacioneve Vllaznisë iu rikthye stabiliteti. Ajo që të bën përshtypje është Vllaznia agresive, mbulon mirë, lufton dhe nuk i jep mundësi kundërshtarëve për të ndërtuar. E tillë ishte edhe si luajti në Laç, e njëjta situatë edhe në Shkodër.
Duke parë kualitetet e Laçit, Vllaznia u mundua ta presonte dhe bëri shumë mirë dhe e detyroi Laçin të luante me top të gjatë dhe nuk është mënyra e lojës dhe futbolli që kërkohet sot. Ia bëri të lehtë Vllaznia vetes ndeshjen duke asgjësuar mesfushën e Laçit që është pika më e fortë.
Pak a shumë ndeshje fotokopje, edhe në Laç u mbrojt mirë, nuk e la kundërshtarin por bëri pak në aspektin sulmues për të ngacmuar kundërshtarin. Sot duhet të vlerësoj Dilaver se ka bërë ndeshje të mirë, lojtar që di të luajë futboll, ka kapacitet, është bashkëpunues, luan dhe ka potencial për t’i dhënë qetësi e freski në momente të caktuara ekipit duke i dhënë mundësi ekipit. Ka bërë ndeshje të mirë dhe ka qenë pikë referimi.
Gjithsesi pretendoj diçka më tepër sa i përket lojës së Vllaznisë se kjo fazë vështirësohet. Vllaznia duhet të mbajë këtë ritëm e pse jo të tentojë diçka tjetër që të arrijnë edhe objektivin që do ishte nder për Shkodrën, titullin. Tani Vllaznia është e dënuar për të tentuar të synojë trofetë. Të vinin do të ishte i jashtëzakonshëm një sezon i tillë.
Më bëri çudi ndeshja e Teutës se nuk e mendoja një rezultat të tillë. Por ekipet ndoshta bëjnë llogaritë e tyre, dikush sulmon kampionatin, dikush sheh shpëtimin në Kupë. Nuk besoja se do të ishte aq e lehtë, m’u duk sikur Teuta nuk e kishte marrë seriozisht dhe e ka menduar të fituar këtë ndeshje pa filluar. Duhej menaxhuar më mirë, askush nuk e kushte menduar se do të shkonte Skënderbeu në finale e si askush nuk e ka menduar këtë Vllazni”, tha Cungu. /vipsport/