
Pavarësisht se disa prej titullarëve të ekipit shkodran nuk do të jenë të gatshëm për takimin e nesërm me Kukësin, sërish objektivi i tij është mosdalja pa pikë nga kjo fushë. Një optimizëm që del pikërisht nga goja e trajnerit Armando Cungu. Në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para ndeshjes së rradhës, numri 1 i pankinës kuqeblu duke folur në lidhje me përgatitjet e ekipit që drejton, ka thënë: “Ditët e fundit kemi patur shumë shqetësime. Kemi kaluar një javë me probleme dëmtimesh megjithatë do të flasim edhe me stafin mjekësor për të parë se cilët lojtarë do kemi të gatshëm dhe cilët jo. Të them të drejtën është e tepërt të kesh 5 mungesa për një ndeshje dhe janë lojtarë titullarë ose shumë pranë formacionit që pritet të na mungojnë dhe kjo na krijon jo pak boshllëqe. Entuziasmi në ekip gjithsesi nuk na ka munguar. Për mua si trajner do ishte diçka pozitive t’i kisha të gjithë lojtarët e gatshëm dhe të shkonim në Kukës për të luftuar fort megjithatë kjo nuk do të thotë se do shkojmë për të kaluar kohën në këtë ndeshje. Shkojmë për një qëllim të caktuar, për të marrë një rezultat pozitiv, e këtu mendja më shkon gjithmonë tek trepikëshi i fitores, por duke parë edhe kundërshtarin dhe fushën e vështirë ku luajmë, nuk do ishte keq sikur të merrnim edhe një pikë. Do aktivizoj ato futbollistë që janë më në formë dhe që mund të na shërbejnë, për të mbushur edhe këto boshllëqe që na janë krijuar nga këto mungesa por kjo nuk na demoralizon”. Numri 1 i pankinës shkodrane është pyetur edhe në lidhje me debatet e fundit sa i takon fondeve të Vllaznia, por ai është përgjigjur shkurt duke thënë: “Të them të drejtën nuk i kam ndjekur fare këto debate. Di që është miratuar një fond për Vllazninë dhe vetëm kaq. Kjo nuk është një pjesë që më takon. Mua si trajner nuk duhet të më dhembë koka sa i takon fondeve, janë drejtuesit e tjerë të klubit që janë kompetent sa i takon këtyre çështjeve. Unë si trajner fokusohem tek puna ime me ekipin. Natyrshëm që ana financiare është pjesë shumë e rëndësishme e mbarëvajtjes së punës tek një ekip por di të them se nga periudha që unë jam tek ky ekip, pra nga janari e deri më sot, klubi ka qenë shumë korrekt sa i takon pagesave të sportistëve dhe po ashtu, jam i bindur edhe që kjo korrektësi do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe futbollistët i kanë të garantuara paratë e kontratave të tyre”.
© shkodrasport.com