
Në rradhët e kuqebluve ka probleme sa i takon dëmtimeve të disa lojtarëve por sërish ka entuziasëm. Trajneri Armando Cungu është i kënaqur me përkushtimin e futbollistëve dhe për këtë arsye, premton se Vllaznia do të kërkojë rezultatin më të mirë të mundshëm në përballjen e nesërme me Kukësin. Një gjë të tillë ai e ka deklaruar në konferencën e sotme për shtyp kur ka thënë: “Situata është e qetë, normale e një pragndeshje.Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për ndeshjen me Kukësin, mendimi për të cilën është për të marrë rezultat pozitiv dhe ne do të synojmë për ta fituar këtë ndeshje, pavarësisht se nuk do të jetë e lehtë sepse do të kemi përballë një ekip që synon të fitojë kampionatin megjithatë edhe ne kemi mundësitë tona, potencialet tona,luajmë në fushën tonë dhe do të bëjmë maksimumin për të arritur këtë objektiv”. Ndërkohë i pyetur sa i takon dëmtimeve të futbollistëve dhe gjendjes së tyre, ai ka thënë: “Jemi të shqetësuar sepse në ndeshjen miqësore me Besëlidhjen na u shfaqën probleme sa i takon dëmtimeve të Bardullës dhe Kalajës. Mund të konfirmoj faktin se Bardulla pavarësisht se duket më mirë, nuk do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë por do jetë në 11-she. Edhe Kalaja me shumë të ngjarë nuk do të jetë i gatshëm”. Me këto probleme, Vllaznia duket se nuk do të hyjë si e barabartë në ndeshje ndaj Kukësit që ka një organikë shumë të plotë. Cungu e di këtë gjë dhe ndalet edhe tek lojtari i ardhur ditët e fundit, belgu Mulemo për të cilin duket se drejtuesit e klubit kanë vendosur ta mbajnë. “E kam theksuar që në fillim të sezonit se objektivat merren në bazë të kontigjentit të lojtarëve që ke në dispozicion dhe prandaj asnjëherë nuk kam premtuar Europën apo diçka të tillë. Nuk është e lehtë të matesh me ekipe si Kukësi që kanë buxhete shumë më të mëdha se ne. Por jo vetëm kaq. Të gjitha skuadrat kanë lëvizur në merkaton e janarit, madje edhe Korabi i vendit të fundit ka marrë 2-3 lojtarë ndërsa Laçi ka marrë komplet një skuadër të re. Gjithsesi këto ishin mundësitë tona dhe duhet të përkushtohemi maksimalisht në punën me kontigjentin aktual që kam në dispozicion. Sa i takon belgut Mulemo, nuk e di pse drejtuesit e klubit nuk kanë dhënë ende një vendim zyrtar për të sepse mesa di unë kanë vendosur ta mbajnë në skuadër. Unë nga sa e kam parë në stërvitje, shoh se nuk është një mbrojtës i majtë i mirëfilltë por gjithsesi mund të na bëjë punë sepse drejtuesit e konsiderojnë një alternativë më shumë”- është shprehur ai. Gjithsesi objektivi për ndeshjen me Kukësin është i qartë dhe Cungu e bën të ditur këtë gjë kur thotë: “Gjithmonë do të hyj në fushë me objektivin e vetëm për të fituar. Kur nuk do të dëgjoni nga goja e Armando Cungut ndonjë gjë tjetër. Edhe sikur të luaj me 11 fëmijë, përsëri do të futemi në fushë për të fituar. E garantoj këtë gjë dhe shpresoj që edhe ndaj Kukësit të bëjmë më të mirën ndonëse përballë do të kemi një kundërshtar shumë të motivuar”.
© shkodrasport.com