Plot 8 lojtare kanë ardhur te Vllaznia këtë verë dhe ato janë prezantuar ditën e sotme para mediave nga ana e presidentit Lazer Matija. Tashmë skuadra duket e plotë dhe po përgatitet për ndeshjet europiane.

Ajo që ka folur para gazetarëve nga këto lojtaret që u prezantuan, ka qenë mbrojtësja Arbenita Curraj e cila njëkohësisht është edhe lojtare e kombëtares shqiptare.

“Zgjodha Vllazninë për të vijuar karrierën për vetë faktin se ajo është skuadra më e mirë në futbollin shqiptar. Përpos kësaj, nisur edhe nga organizimi që ka kjo skuadër, stafi dhe gjithçka tjetër ka ajo, është një sukses për çdo lojtare për të qenë pjesë e saj”- është shprehur fillimisht Curraj.

Arbenita është një emër i njohur dhe përpos faktit që ka qenë një nga lojtaret më të mira të kampionatit kosovar, është edhe pjesë e formacionit të kombëtares së Shqipërisë.

Ajo luajti pak ditë më parë ndaj Skocisë që nga minuta e parë dhe ka bërë një paraqitje të mirë, ndërkohë që debutimim me fanellën e Vllaznisë do ta ketë pikërisht të martën e ardhshme në ndeshjen e Ligës së Kampioneve të Europës, përballë turkeve të ALG Spor Kulubu.

E pyetur në lidhje me këtë takim, mbrojtësja e kuqebluve shprehet: “Jemi përgatitur prej kohësh për këtë ndeshje, e presim me shumë entuziasëm dhe besoj se kemi për të patur sukses”.

Por, a janë të gjitha vajzat të gatshme për këtë sfidë? Curraj përgjigjet: “Deri më tani po, të gjitha janë të gatshme. Ekipi është shumë i mirë, harmonia mbi të gjitha është shumë e mirë dhe prandaj shpresojmë vetëm për fitore”./SHKODRA-SPORT.COM/