Kapiteni i Teutës, Arber Çyrbja, ka besimin se me fitoren në shtëpi të dueleve direkte ndaj Vllaznisë dhe Kamzës në javët e mbetura të Superiores, durrsakët do mbijetonin në Superiore.
I ftuar në “Zona Gol”, ai pranoi se ekipi kishte hyrë në këtë sezon me pretendime europiane, pro tashmë ishte i detyruar të ndiqte mbijetesën pas një serie rezultatesh negative.
“Po kalojmë një moment të mirë, ndeshjet e fundit ishin pozitive, por të shohim se duam mbijetesën dhe qëndrimin në Superiore.
Ne luajtëm me Luftëtarin që ka ekip të mirë, e vetmja mënyrë ishte të mos dilnim pa pikë. Por kemi parasysh që Vllazninë e Kamzën i presim në shtëpi.
Si Vllaznia, si Kamza e Teuta, janë të rrezikuara në këtë moment, kemi shpresën që duke i pritur në Durrës, nëse marrim 6 pikë, mendoj se janë të rrezikuara Kamza me Vllazninë.
Në fillim të sezonit kishim objektiv Kupat e Europës, në dy ndeshjet e para arritëm dy fitore, na u duk shumë e thjeshtë.
Por me një humbje me Flamurtarin morën gjërat keq, se barazuam me Kamzën, na mundi Partizani, pësuam tronditje dhe morën gjërat keq. Ndaj jemi ku jemi dhe luftojmë për mbijetesën në Superiore”, tha Çyrbja. /vipsport/