Për të tjerët është mbyllur çështja e ardhjes tek Vllaznia. Bëhet fjalë për sulmuesin Dimo dhe mbrojtësin kroat Vuk. Për ata, drejtuesit shkodranë kanë vendosur të heqin dorë. Nuk do harxhohen paratë për marrjen e tyre. Kjo është vendosur ditën e sotme pas takimit që kryebashkiaku- president Lorenc Luka ka patur në zyrën e tij me trajnerin Rudi Vata. Sipas numrit 1 të klubit, Vllaznia nuk do shpenzojë më për të blerë lojtarë ngaqë me këto shpenzime nuk ka asnjë garanci për arritjen e ndonjë rezultati të mirë në pjesën e dytë të sezonit, siç mund të ishte fitimi I kupës së Shqipërisë. Në kushte të tilla, është menduar më mirë të kursehen ato para dhe të mendohet ndoshta që tani për sezonin e ardhshëm futbollistik. E vetmja dilemë që ka mbetur për t’u zgjidhur për këtë merkato të janarit të kuqebluve është çështja “Da Silva”. Mbrojtësi Brazilian që është nën kontratë me Bylisin ka rreth 3 javë që stërvitet me Vllazninë por problemi I tij u zgjat shumë dhe tashmë ai duket shumë pranë kthimit të tij sërish në Brazil ngaqë dy klubet nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për këtë futbollist. Presidenti Kapllanaj kërkon një shumë parash për këtë lojtar ndërsa në Shkodër nuk duan të paguajë dhe çështja ka mbetur pezull. Por mbrëmë trajneri I Vllaznisë Vata ka patur edhe një tjetër takim me nënkryetarin e Bashkisë Troshani pikërisht për këtë problem, për të biseduar nëse mund të bëhet ndonjë sforco e fundit për marrjen e Da Silvës ngaqë mbrojtja ka shumë nevojë për një lojtar të tillë. Ditën e sotme do të merret vesh më konkretisht nëse braziliani do marrë rrugën për në vendin e tij apo do qëndrojë përfundimisht tek Vllaznia.

www.shkodrasport.com