Partizani ka fituar sot derbin ndaj Dinamos dhe ka marrë një dozë të rëndësishme morali para derbit tjetër, atij ndaj Tiranës. Të kuqtë kanë fituar me shifrat 3-1 falë një pjese të dytë që pa si protagonist në fushë Viktor Da Silvan.

Aktivizimi në pjesën e dytë i brazilianit ndryshoi lojën e të kuqve, pasi ata gjetën më shumë rrezikshmëri pranë zonës kundërshtare.

Pikërisht një asist i tij solli golin e Bintsuka për avantazhin, ndërsa më vonë, vetë braziliani dyfishoi shifrat. Rrapaj me predhën e zakonshme nga jashtë zonës vulosi fatin e takimit, pasi penalltia e Kaçorrit erdhi shumë vonë për të sjellë diçka për Dinamon.

Kështu, të kuqtë i afrohen Tiranës kryesuese para duelit direkt, ndërsa te Dinamo kthehen përsëri pikëpyetjet për forcën e kësaj skuadre që shfaq luhatje shumë të mëdha në këtë start të sezonit.