Lufta për titull kampion jë kampionatin shqiptar po bëhet gjithnjë e më e ashpër. Distanca në pikë është shumë e vogël, teksa Vllaznia, Laçi, Teuta dhe Partizani ndahen me vetëm dy pikë.

Ndërkohë, në këtë mes, Rezart Dabulla ish-futbollist i Tiranës, sheh të kuqtë si më favoritë për të fituar në fund. I ftuar në Sport News Plus, Dabulla thekson megjithatë se dëshira e tij është ta fitojë Vllaznia, por Partizani i duket më i përgatitur.

“Partizani është pretendente kryesor për kampionatin sepse nuk janë vetëm lojtarët, është edhe mbështetja, janë shumë faktorë. Është një ekip emblemë i kampionatit tonë, por varet nga gabimet që do të bëjnë kundërshtarët dhe vet Partizani. Ka gjithashtu një stol të përgatitur, ka lojtarë stoli që priten të shpërthejnë dhe të bëjnë mirë në ndeshjet e fundit të kampionatit.

Lufta është e fortë, por unë shoh Partizanin si favorite.Nuk e mendoja kurrë që Partizani do linte pikë kundër ekipeve në fundin e tabelës. Unë kam luajtur për Tiranën, nuk jam me Partizanin se pastaj do thonë është bërë me Partizanin, por këtë ekip shoh si favorit. Ndërsa si dëshirë kisha që kampionatin ta fitonte Vllaznia”, u shpreh Dabulla. /VipSport/