Tirana “shpëtoi” duke arritur të kap Play Out-in dhe të shpëtojë nga më e keqja, që ishte më prezente, rrëzimi në Kategorinë e Parë. Tani bardheblutë kanë në dorë fatin e tyre dhe janë më shumë se favorit pasi do të përballen me fituesin e Besa-Pogradeci. I ftuar në “Max Sport” që transmetohet në “Euro Neës Albania”, Dabulla u shpreh se Tirana kishte një fat të madh që shpëtoi nga rënia në Kategorinë e Parë.
Sipas tij, fati i madh që Tirana kishte një bilanc më të mirë se Skënderbeu dhe Bylis, sepse në të kundërt, do të binte. Kjo pasi nëse do të ishte e kundërta, me një bilanc më të keq, me një barazim te Skënderbeu-Bylis, biskota e famshme, Tirana do të merrte vetëm vendin e 9 edhe me fitoren kundër Dinamos. Pra Skënderbeu dhe Bylis shpëtonin, Tirana binte.
“Nuk duhet të fshihemi pas gishtit, Dinamo ishte e pamotivuar, vendin e dytë nuk e kapte dot më, vendin e tretë nuk ia hiqten njeri. Ndeshje e fundit e kampionatit, energji të shpenzuara dhe në Kupë, ishin të gjithë komponentët që flisnin në favor të Tiranës. Tirana kishte një fat të madh që me Skënderbeun dhe Bylisin, në ndeshjen direkte me to ishte më lart.
Se po mos të ishte, të jesh i bindur me 100% që do dilte barazim Skënderbeu-Bylis dhe do dilte Tirana nga kategoria. Tirana është mësuar të jetë gjithmonë e para, mes më të mirave dhe tani në 36 javë kampionat të ketë 7 fitore, nuk ke çfarë të flasësh më. Ne në kohën tonë kur fitonim Kupën dhe dilnim në vendin e 2 në kampionat, kishim “zi”, nuk festonte njeri se nuk dolëm kampion”, tha Dabulla. /Sport Ekspres/