Dinamo ka siguruar matematikisht praninë në “Final Four” me barazimin ndaj Teutës por Ilir Daja e kishte më shumë mendjen pas sfidës te situata e skuadrës së tij që përballet me një krizë të pazakontë dëmtimesh.
“Sot kemi filluar ndeshjen me një gol që mund të shmangej, sepse duhet të bllokonim më shpejt topin e dytë që u kthye. Pastaj kemi bërë një administrim topi, por nuk kemi pasur marshin e duhur, për faktin se para tre ditësh luajtëm në Shkodër. Sot ishte po i njëjti formacion që luajti. Besoj se kemi rastet tona, siç kishte Teuta të vetat. Për atë që prodhuam në lojë, edhe pse në pjesën e dytë e rritëm nivelin e performancës, për atë që prodhuam në lojë, mendoj se është më i drejtë barazimi.
Kur të kemi të gjithë lojtarët në dispozicion se edhe ndërrimet i bëjmë me goxha vonesë se nuk kemi pozicione të dubluara. Kur të vijnë jo për t’u stërvitur, por në kondicion të duhur se kemi nja 4-5 për dëmtime. Lorran, Bregu dhe Dita, pa përmendur Malqiin në stol të dëmtuar me klavikul. Edhe Itodo ka bërë katër herë dëmtimin e nëse e sforcojmë mund të kalojë në fibrozë. Edhe Guadiabi që luajti sot, nuk është i rikuperuar ende plotësisht.
Karramba nuk mund të vazhdonte më, Qefalija ishte me të verdhë dhe rrezikonte të dytin. Karramba minutazhin që ka, duke u konsultuar me stafin mjekësor, i morëm maksimumin, kështu që Gudiabi sakrifikoi se nuk është rikuperuar ende, ka një dëmtim që nëse i përsëritet prapë, mund të rrijë shumë gjatë jashtë fushave. Jemi të kënaqur me sakrificën e tij, jo me përformancën se nuk ka si të jetë në formën e tij më të mirë.
Aliji? Nuk e di, se sa jemi futur dhe jemi ndërruar sepse shiu bëri të veten. Tani do të marr vesh se çfarë problemi ka Aliji. Besoj se do të jetë ndonjë kontraktim më shumë se ai nuk ka pushuar, duke u aktivizuar me ekipin kombëtar.
Shumë dëmtime? Është viti i 30 në trajnim edhe pse jam ende i ri. Nuk më ka ndodhur asnjëherë kaq shumë dëmtime sa në këtë periudhë. Ka shumë arsye pse kanë ndodhur, shpresojmë t’i kemi në “Final Four”. Por ne e kemi thënë këtë gjë, por kemi luajtur gjithmonë me gjysmë ekipi se kemi pasur gjithë kohës prezent dëmtimet. Shpresojmë që jo vetëm t’i kemi fizikisht, por edhe në formë. Edhe ngarkesa e madhe që ka, plus që në janar nuk kishte fazë përgatitore që të kishte një luhatje ngarkesash, besoj që janë shumë faktorë që nuk mund të thuash është ky dhe e saktëson”, tha Daja për RTSH pas ndeshjes.