Dinamo e mbylli me barazim 1 me 1 përballë Elbasanit në javën e 30-të të Superiores. Pas ndeshjes, Ilir Daja deklaroi:
“Në momentin që mbaroi ndeshja, pashë lojtarët me kokën ulur, u thashë ngreni kokën, vetëm ju mund të bëni atë që bëtë sot. Kanë rikuperuar mungesat, kanë dhënë maksimumin. Pjesën e parë e administruam, shkuam drejt golit, mund të dyfishonim rezultatin.
Pastaj ndërrimet e detyruara, Karamba dhe Maliqi, kemi përdorur gjithë kontigjentin në pankinë. Vetëm një 19-vjeçar. Kemi bërë ndeshje të mirë, deri në minutën e 70-të, pas daljes të dyve, kishim probleme. Më pas e mbrojtën rezultatin lojtarët, duke dhënë maksimumin që mos të dilnim pa pikë nga stadiumi i Elbasanit.
Fillimi i këtij rivaliteti në krahun e djathtë, Meksi dhe Maliqi, ka ardhur nga dëmtimi i Meksit. Maliqi ka bërë goxha paraqitje të mirë më pas. Më mbrapa kanë shkuar në rivalitet konstruktiv. Maliqi është pak më i qetë, futet në zona të vogla.
Më pëlqen se Maliqi, si pozicion është më shumë mesfushor i tretë, por që e ka bërë shumë mirë. Kemi pasur vetëm Meksin, tani kemi dy lojtarë që do rivalizojnë për të shtyrë gjërat më përpara, që të funksionojë edhe krahu i djathtë si i majtë.
Do të thoja që ishte normale rënia fizike. Po të shikosh pjesën më të madhe të ndeshjeve, i ka përballuar një grup i vogël lojtarësh. Pjesa tjetër kanë qenë të ardhur nga dëmtimet, apo që vazhdojnë. Do e kishim rënien fizike.
Nuk është njësoj të luash me lojtarë të formacionit dhe rezervë. Si shkoi loja në 15 minutat e fundit, barazimi ishte edhe rezultat i mirë për ne. Me futjen e Nanit, u shtua një forcë më e shpejtë në krah. Duke ditur në avantazh dhe Elbasani do hidhej me forca në sulm, të shfrytëzonim hapësirat e kundërshtarit.
Pothuajse 1 javë pas ndeshjes sot, do marrin 2 ditë më shumë pushim të shkarkojnë nga ana psikologjike. Me anët stërvitore dhe praktikë janë goxha të impenjuar. Kishin premio nga unë, u thashë që do merrnin të mërkurën pushim, nëse do merrnin fitore. Këtë premio mund t’u jap lojtarëve. Kur më kërkuan për barazimin, u thashë jo se kështu e lamë”, u shpreh trajneri i Dinamos për RTSH.