Trajneri Ilir Daja u shpreh entuziast pas fitores së thellë në Shkodër. Ai ka vlerësuar më shumë pjesën e parë, edhe pse golat erdhën në të dytë.
Për numrin 1 të stolit korçar, ekipi po shkon drejt formës që kishte në gjysmën e parë të sezonit, por kërkon që të mos ketë luhatje brenda ndeshjes:
“Sinjalet i dhamë që në ndeshjen me Teutën në Durrës, pavarësisht se nuk isha i kënaqur totalisht nga loja. Por pashë reagim dhe grinte.
Në një stadium që ke qejf të luash si ky në Shkodër, qoftë nga niveli i fushës, por edhe nga ambienti dhe tifozëria, ke mundësi të shprehesh më mirë.
Kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë, edhe pse Vllaznia kishte një rast për ta dyfishuar rezultatin. Nuk ka pse ekipi të ketë oshilacione në lojë. Ne barazuam dhe mund të kishim bërë më shumë në pjesën e parë.
Mendoj se po futemi në formën që kishim në gjysmën e parë të sezonit.
Osmani? Secili nga lojtarët që kemi bën veprime të tilla, që sjellin një shumatore pozitive për ekipin.
Shpirti i skuadrës është një “armë” e fortë e Skënderbeu.
Gjatë përgatitjes së një ndeshjeje merret parasysh edhe individi, forma e lojtarëve. Në pjesën e parë kemi qenë më mirë se në pjesën e dytë.
Thjesht dua që brenda lojës të mos kemi luhatje. Grupin e kemi të plotë dhe do të hidhen në lojë ata lojtarë që janë në maksimumin e tyre dhe që e vlerësojnë ndeshjen”, – tha trajneri Daja për “Supersport”. /Vipsport/