Ndryshe nga ditët e kaluara, Partizani dje kreu një stërvitje shumë më intensive. Trajneri Ilir Daja e nisi këtë seancë me disa ushtrime fizike e më pas me sprinte dhe ushtrime shpejtësie duke i sforcuar jo pak lojtarët, përpara se t’i lejonte të merrnin topin në këmbë. Pas kësaj trajneri vendosi të organizonte kuadratet, ku kishte shumë grintë e spektakël nga lojtarët e kuq.
Atmosfera është shumë e mirë në skuadër dhe kjo vihet re te të gjithë. Ka një garë sportive shumë të bukur mes lojtarëve, që luftojnë në çdo duel dhe e bëjnë mjaft interesante seancën stërvitore.
Pas kuadrateve, lojtarët u ndanë. Pjesa më e madhe zhvilloi një minindeshje dhe të tjerët kishin mundësinë të përmirësonin shënjestrën përballë njërit prej gardianëve të kuq. Gjatë gjithë kohës u vu re perfeksioni që Daja kërkonte te futbollistët në lëvizjet dhe pasimet e tyre.
Një vëmendje jo të vogël e morën edhe kroset dhe pasimet në zonë, ku kishte duele mjaft interesante mes qendërmbrojtësve dhe sulmuesve të kuq.
Në anën tjetër të fushës u ushtrua një pjesë e lojtarëve, kryesisht të rinj, me finalizimin përballë portierit. Në një moment ata e kishin të vështirë të shënonin dhe ishte ndihmësi i Dajës, Artim Pollozhani, i cili i qortoi, me qëllim “zgjimin” e tyre. Në fakt, ia vlejti sepse ata nisën të tundnin rrjetat njëri pas tjetrit.
Në fund Partizani u desh të nxitonte për të liruar fushën e kompleksit dhe të gjithë u angazhuan të largonin bazën materiale nga fusha. Kjo ndodhi sepse aty do të luhej një ndeshje e Kategorisë Superiore U-21 mes Kukësit dhe Dinamos.
Një situatë aspak e këndshme kjo, pasi një nga klubet më të mëdha nuk ka lirinë të qëndrojë sa dëshiron në stërvitje, defekt që ndodh për shkak të mungesës së një fushe stërvitore.