Janë mbyllur dy fazat e para dhe Partizani e sheh veten të pozicionuar gjashtë pikë larg skuadërs së vendit të parë, Vllaznisë, ndërsa nesër do të përballen me Kastriotin, takim i vlefshëm për javën e 19-të të Kategorisë Superiore. Trajneri i të kuqve, Ilir Daja vlerëson maksimalisht sfidën e radhës, atë me krutanët, duke larguar çdo mendim tjetër, që nuk ka lidhje me ndeshjen e nesërme.

Dy fazat e para – “Pavarësisht se jemi në të njëjtin pozicion, të cilin e kishim dhe në fazën e parë në klasifikim, në fazën e dytë kemi pesë pikë më shumë se në të parën. Kjo do të thotë që gjërat kanë ardhur në përmirësim, duke llogaritur që pjesa më e madhe e këtyre dy fazave është përballuar me lojtarët që kemi patur në dispozicion që nga fillimi”.

Sfida me Kastriotin – “Kastrioti është një skuadër pragmatiste. Vjen nga dy fitore dhe ka një moral të mirë, ashtu si ne, sepse në këtë vit kemi vetëm rezultate pozitive. Në dy sfidat e zhvilluar me krutanët kemi një fitore dhe një humbje. Është një ndeshje e vështirë. Nëse nuk do të jemi të motivuar, si në çdo ndeshje tjetër, situate do vështirësohet.

Duhet të jemi nga fillimi në fund të motivuar, në mënyrë që dhe ato pak problem që mund të ketë terreni, ti minimizojmë. Ne duhet të bëjmë lojën tonë. Krutanët kanë një mënyrë loje, që në përgjithësi e presin kundërshtarin në gjysmëfushën e tyre dhe kanë sulmuesa që ndërtojnë kundërsulmet. Nuk duhet të na gjejnë të papërgatitur”.

Diferenca me Vllazninë – “Do të bënim një gabim të madh nëse do të shikojmë diferencën e pikëve me Vllazninë. Duhet të shikojmë vetëm ndeshjet tona, nuk ka asnjë llojë bonusi nëse shikojmë se çfarë bën Vllaznia. Sigurisht, ata do të bëjnë kampionatin e tyre, ashtu siç kanë bërë dhe skuadrat e tjera të Superiores, sepse janë 4-5 ekipe që rivalizojnë.

Po ti referohemi javës së fundit, pavarësisht se Vllaznia humbi ndeshjen e saj, nëse nuk do të kishim fituar me Bylisin, atëherë diferenca do të ishte e njëjtë. Duhet të përqëndrohemi vetëm tek ajo që duhet të bëjmë vetë, dhe pastaj të shikojmë se çfarë do bëjnë kundërshtarët tanë”.

Domingez dhe Hasani – “Hasani mund të ketë disa minuta, gjithmonë në varësi të ndeshjes, sepse nuk mund të paragjykosh zëvendësimet. Në një moment të caktuar mund të përdoret një mbrojtës dhe në një moment tjetër mund të aktivizohet një sulmues. Hasani mundet të përballojë disa minuta në lojë, pa patur problem me dëmtimet.

Edhe në Ballsh mund të ishte aktivizuar, por një lojtar si Hasani duhet të marrë maksimumin nga vetja, nëse është në gjendje të mirë fizike. Në të kundërt mund të rrezikonim, gjë e cila mund të na kthente mbrapa me përgatitjet, me Hasanin apo dhe Domingez. Do ti kenë minutat e tyre, në momentin që do kenë gjendjen e tyre më të mirë”.