Kroacia do të zbresë në fushën e lojës këtë të mërkurë, në Hamburg përballë Shqipërisë në ndeshjen e dytë të Grupit B. Pas humbjes 3-0 ndaj Spanjës, Kroacia sheh përpara ndoshta “trenin e fundit” për të shpresuar kualifikimin, teksa përballë janë “kuqezinjtë” e Sylvinho-s që gjithashtu kanë humbur në takimin e parë.

Në konferencën për shtyp, përpara takimit me Shqipërinë, Zlatko Dalic theksoi se ndeshja ndaj Spanjës nuk ishte një kartolinë e bukur, por trajneri tregoi se shpresojnë te fitorja pasi i kanë cilësitë dhe meritojnë më shumë respekt.

“Ndaj Spanjës nuk ishte një kartolinë e bukur për t’u parë, por ne jemi gjithmonë një skuadër që askush nuk ka besuar, nuk jemi nisur apo llogaritur si favoritë. Kështu ka ndodhur në gjashtë vitet e fundit. Unë gjithmonë them se meritojmë më shumë respekt dhe për këtë bazohem te rezultatet. Ne e kemi lënë pas tani ndeshjen e parë dhe mezi po presim takim e radhës, pasi kemi cilësi dhe besojmë te suksesi” – tha fillimisht trajneri.

Më pas, Dalic la të hapur mundësin që do të ketë ndryshime në formacion, ndërsa vlerësoi Shqipërinë, por theksoi se Kroacia duhet të bëjë Kroacinë.

“Formacioni aty është, mund te ndryshoj diçka, por do ta shoh. Shqipëria? Duhet të luftojmë, të jemi në lojë në çdo sekondë dhe të bëjmë lojën tonë. Përballë një skuadre të mirë si Shqipëria nuk duhet të humbasim kohë që të detyrojmë kundërshtarin, por të bëjmë atë që bëjmë më mirë. Durimi do të jetë çelësi i kësaj sfide. Të gjithë besojmë te fitorja” – tha Dalic.