Disfatën me Kroacinë askush nuk mund ta fshijë nga memoria, por për Argjentinën ka ende shpresë.

U duk se Botërori përfundoi aty, megjithatë fitorja e Nigerisë ka kthyer në lojë argjentinasit, të cilët duhet të fitojnë patjetër ndaj këtij kundërshtari në ndeshjen e fundit në grup.

Nëse Mesi me shokë fitojnë ndaj Nigerisë, shkojnë 4 pikë dhe eliminojnë afrikanët nga llogaritë.

Por nuk mjafton, sepse Argjentina duhet të shpresojë që Islanda në të njëjtën kohë të mos bëjë mrekullinë dhe të fitojë ndaj Kroacisë.

Nëse Islanda barazon, ose humb, Argjentina kualifikohet.

Nëse Islanda fiton, bëhen dy skuadra me 4 pikë dhe këtu diferencën e bën golaverazhi.

Argjentina për momentin është -3, kurse Islanda -2. Kështu, Argjentina duhet të fitojë të paktën me një gol më shumë se Islanda.

Nëse amerikano-latinët fitojnë 2-0 dhe islandezët 2-1, situata është shumë e veçantë.

Në këtë pikë vendos “fair-play”, kush ka marrë më pak kartonë. Mesi me shokë në këtë drejtim janë shumë më të këqij se islandezët.

Por argjentinasit i tremb edhe diçka tjetër.

Trajneri i Kroacisë, Zllatko Daliç, ka vendosur të bëjë rotacion, të ruajë të paktën katër të ndëshkuarit me kartonë, që janë Manxhukiç, Rebiç, Rakitiç dhe Vrsaljko.

Një “asist” për Islandën, që duhet të shfrytëzojë. / Vipsport/