Një vit pas ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme, gazetari I njohur sportiv shkodran Ramadan Bigza është kujtuar me një kupë të organizuar me emrin e tij. Ky aktivitet është organizuar nga shoqata publicistike sportive “Anton Mazreku” dhe Unioni I Gazetarë Shqiptarë, dega Shkodër. Ai është organizuar në kompleksin “Fredi”- Juban dhe të pranishëm kanë qenë edhe familjarë të Danit të ardhur enkas nga Greqia ku jetojnë, të afërm, miq e kolegë të tij.
Kupa është zhvilluar me pjesmarrjen e katër ekipeve, TV Rozafës, TV1 Channel, Radio Shkodrës dhe një ekip miks gazetarësh. Në fund, fitues I kupës ëshhtë shpallur ekipi I Televizionit Rozafa por sigurisht që më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër kishte kujtimi I kolegut tonë Ramadan Bigza. Në ceremoninë e organizuar në fund të kupës, bashkëshortja e Danit Rajmonda por edhe I biri- Bledari, kanë falenderuar organizatorët që u kujtuan për të por njëkohësisht kanë bërë thirrje të gjithë gazetarëve shkodranë të vazhdojnë rrugën e tij. Gazetarët shkodranë në këtë mënyrë vazhdojnë traditën e mirë të nisur prej vitesh për nderimin e figurave të ndryshme sportive që nuk jetojnë më dhe veçanërisht të kolegëve të tyre siç kanë bërë me kupat organizuar në nderim të Rifat Uruçit, Ymer Striniqit e Mejdan Zhivanit. Në fund të fundit, kjo është detyra jonë, të nderojmë dhe të vlerësojmë ata që kanë kontribuar për këtë qytet.
© shkodrasport.com