Ka ardhur këtë verë tek Vllaznia dhe me përvojën e saj është duke e ndihmuar shumë atë në mbrojtje. Dan Gelu Ignat po shfaqet si një lider në repartin e prapavijës duke dhënë siguri bashkë me Zeqajn dhe lojtarë të tjerë të tij.
Po kush është ky futbollist që vjen nga Rumania për të luajtur në Shkodër? Bëhet fjalë për një lojtar 32 vjeçar i cili ka provuar të luajë me shumë ekipe.
Duke filluar nga FC Drobeta në vendin e tij, për të vazhduar me Farul, FC Vitorul, Braila, Slatina e Turnu Severin. Në vitin 2014 ndërkohë fillon rrugëtimin e tij të largët duke kaluar në Jordani ku luan fillimisht me Al Ramtha, më pas vazhdon në Oman me Sohar Club.
Ignat shkon deri në Indi më pas për të luajtur me Shillong Lajong dhe në fund është kthyer përsëri në Jordani ku luan me Manshia me të cilën është pjesë deri në verën e këtij viti.
Pas kësaj ecurie në vende të largëta, vendos të kthehet në Europë dhe dikush i sugjeron Vllazninë. Kalon një provë disaditore dhe arrin të bindë trajnerin Lika.
Më pas ka ardhur firma në kontratë dhe të dyja palët duken të kënaqura. Tashmë Ignat duket i vendosur për t’i shërbyer sa më mirë kuqebluve që ata të arrijnë objektivin e tyre për ngjitjen në Superligë.
© shkodrasport.com