Vllaznia në basketboll për meshkuj po kalon momente jo të mira në kampionat dhe një nga arsyet e kësaj gjendje është padyshim largimi i disa sportistëve një ndër të cilët është edhe Daniel Lekndreaj.
Ai është bashkuar me Partizanin dhe në ndeshjen e fundit në Shkodër ka qenë protagonisti kryesor i suksesit të të kuqve. Duke folur për mediat, Danieli ka shpjeguar edhe emocionet që ka ndjerë në përballjen me të vëllanë, Dodën që luan për Vllazninë.
Njëkohësisht ka shpjeguar edhe arsyet e largimit drejt Partizanit por nga ana tjetër ka shprehur dëshirën që ekipi shkodran të rikthehet sërish në nivelet që i takon të jetë.
“Sigurisht që kisha emocione, më shumë sesa po luaja ndaj Vllaznisë, për faktin që po ndeshesha për herë të parë ndaj vëllait. Besoj se bëra një paraqitje të mirë dhe këtë jo se kisha ndonjë gjë kundër Vllaznisë por sepse jam stërvitur fort për t’i shërbyer ashtu si duhet skuadrës time të re.
U largova nga Shkodra për shkak të problemeve që u krijuan tek ekipi dhe po ashtu edhe për anën financiare ndërkohë që tashmë po mundohem të jap më të mirën për Partizanin.
A do kthehem një ditë tek Vllaznia? Nuk është momenti të flas për këtë gjë sepse sapo u largova dhe karriera ime tani ka nisur, prandaj dhe gjithçka mund të ndodhë”- është shprehur Danieli.
Largimi i Lekndreajt, Berdicës e Faslijës, ka krijuar një boshllëk të madh tek Vllaznia dhe kjo po vërehet edhe në rezultatet që po arrin kjo skuadër në këtë fillim kampionati, rezultate këto që janë të papranueshme nga mbarë opinioni sportiv në Shkodër.
© shkodrasport.com