Ish-sulmuesi i njohur vlonjat, Daniel Xhafaj, prej disa vitesh jeton në Amerikë me familjen e tij, por nuk i ndahet futbollit, tani si trajner.
Ka veshur fanellat e Flamurtarit, Bylisit, Dinamos (kampion), Tiranës (kampion), Skënderbeut (kampion), Besës dhe Teuta dhe ka qenë ndër sulmuesit më të spikatur të Superiores vitet e fundit.
Ai i ndjek zhvillimet në futbollin shqiptar dhe në një intervistë ekskluzive për “Vipsport.al” ka dhënë mendimet e tij me atë çfarë po ndodh aktualisht në Superiore.
Xhafaj thekson se është koha për ndryshime, për ide të reja, sepse po dështohet vit pas viti dhe kostot i marrin lojtarët dhe trajnerët. Ja intervista e plotë e tij:
Me çfarë po merret Daniel Xhafaj aktualisht?
Prej dy vitesh jam pjesë e akademisë “Celtic” në Amerikë. Kam rolin e drejtorit për moshat 15 deri në 19 vjeç, djem dhe vajza.
Dhe vetë drejtoj ekipin e datëlindjes 2002 për djem.
E keni ndjekur kampionatin shqiptar?
Po, sigurisht që e kam ndjekur kampionatin shqiptar.
Çfarë ju bën më shumë përshtypje në kampionatin elitar, ku për herë të parë ka munguar Tirana, përveç Dinamos tuaj?
Po, kjo është e vërtetë. Mungojnë dy skuadra të mëdha, Dinamo dhe Tirana dhe është humbje e madhe për Superligën, për cilësinë dhe vlerat që kanë këto ekipe. Futbollin e madh e bëjnë ekipet elitare.
Si ju është dukur Flamurtari, ekipi i qytetit tuaj, që nuk i ka pasur punët mirë me gjyqtarët?
Me thënë të drejtën, kishim shumë shpresa që këtë vit Flamurtari do të ishte në Europë.
Ka ekip të mirë dhe të denjë për të marrë pjesë në Europë. Mendoj se drejtuesit e Federatës dhe drejtuesit e Flamurtarit duhet te ulen dhe të ç’tensionojnë këtë situatë jo të këndshme, e krijuar kryesisht nga gabimet e arbitrave.
Po Skënderbeu, që po shkon drejt titullit, por që UEFA e ka dënuar 10 vjet jashtë kupave të Europës dhe është në proces gjyqësor?
Nuk duhet të ndodhte dhe shpresoj që të zgjidhet në favor të Skënderbeut, sepse po na përfaqëson denjësisht në Europë me paraqitjet e tij.
Vllaznia sërish në luftë mbijetese, ashtu si dhe Teuta. Kush mbijeton?
Më vjen keq që këto emra janë në diskutim për rënien nga kategoria. Asnjë nga këto dy skuadra nuk duhet të bjerë nga kategoria.
Sikur po zbehen ekipet elitare në futbollin shqiptar, pse sipas jush?
Po mendoj se duhet të bëhen ndryshime me strukturat e klubeve, që t’u kthehen dhe një herë triumfeve dhe trofeve të munguar prej vitesh.
Ekipet e ashtuquajtura “të vogla” kanë dëshirë për të ecur dhe renditur në vendet e para.
Në syrin tuaj, a ka qenë korrekte gara këtë sezon?
Po, pjesa më e madhe po. Vetëm Partizani dhe Flamurtari duhet të ishin më lart në klasifikim, me ekipin që kanë.
Ka ndonjë lojtar që ju pëlqen veçanërisht, ndonjë sulmues?
Po, sigurisht. Guri dhe Bregu janë dy lojtarë shumë të mirë në Superiore, por më pëlqen edhe Uzuni i Laçit.
Disa nga ish-shokët tuaj vazhdojnë të luajnë ende, kurse disa po bëhen trajnerë. Komunikoni me ta, me cilin më shumë?
Po, më vjen mirë që ata kanë ende dëshirë të jenë aktivë në futbollin shqiptar. Janë një shembull i mirë për të rinjtë dhe i përgëzoj.
Sot ka pasur dënime masive për Flamurtarin nga Komisioni i Disiplinës, ku gjithë drejtuesit janë dënuar, si dhe 2 ndeshje në fushë asnjanëse. Sikur po diskriminohet ky ekip?
Tani po me thoni ju, që Flamurtari qenka dënuar. Më vjen shumë keq, prandaj e thashë edhe më lart se drejtuesit e Flamurtarit dhe të Federatës duhet te ulen dhe te bisedojnë për të analizuar gabimet që kanë bërë këtë sezon.
Thatë më lartë se “futbollin e madh e bëjnë ekipet elitare”, mos duhen politika të reja në këtë drejtim?
Patjetër që duhen njerëz me ide të reja në futbollin shqiptar. Duhet organizim i ri, sepse po dështojnë vit pas viti. Dhe fajin e kanë marrë lojtarët dhe trajnerët. /vipsport/