Darko Bulatoviç është një nga futbollistët e huaj që ka lënë shenjë te Vllaznia vitet e fundit. Malazezi, i cili me kuqeblutë ka arritur të fitojë një kupë në sezonin 2021-2022, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur për ekipin aktual. Mbrojtësi mëngjarash sheh Egnatian dhe Partizanin si rivalët direkt të Vllaznisë dhe shpreson për titullin kampion nga ekipi i Brdariç në fund të sezonit.
Darko, sa keni pasur mundësi ta ndiqni Superioren dhe cilët ekipe të kanë bërë përshtypje?
Jam munduar ta ndjek, sepse jemi edhe fqinj (qesh). Kampionatin e kam parë goxha të barabartë, kam parë futboll të fortë. Ndoshta niveli nuk ka qenë ai më i miri, por ndeshjet janë të forta dhe prodhojnë rivalitet. Nëse duhet të ndaj ekipe, them se Vllaznia dhe Partizani në mendimin tim zhvillojnë lojën më të mirë.
Ndalemi te kuqeblutë. Si duket kampionati i tyre në syrin tuaj?
Është një ekip me futbollistë cilësorë, janë Krymi, Gurishta, Mala, Balaj e të tjerë. Lojtarë që mund të bëjnë diferencën çdo herë dhe janë një bazë e skuadrës. Ndoshta si çdo ekip, gjatë sezonit ka pasur luhatje, por për mua këto janë të logjikshme.
Por skuadra nuk po krijon stabilitet…?
Patjetër që duhet të ketë stabilitet, por formula që ka tashmë kampionati shqiptar të lejon edhe pak “relaksim”. Mjafton të renditesh në 4 vendet e para për të arritur në finalet e titullit. Deri më tani Vllaznia e ka arritur 4-shen pa u “lodhur” shumë dhe është 7 pikë para nga vendi i pestë.
Mbrojtja ka pësuar shumë gola, si e shikoni këtë problem?
Është një shprehje që thotë se “ekipi shënon dhe pëson i gjithi së bashku”. Pra, nuk mund të jetë vetëm faji i mbrojtësve, apo i portierit. Mendoj se stili sulmues i ekipit bën që ata të lënë hapësira dhe të pësojnë gola, por patjetër duhet rregulluar kjo gjë, duke ditur pretendimet e mëdha.
Kush mund të jenë rivalët e Vllaznisë dhe a mund ta fitojë kjo skuadër titullin?
Personalisht më duken të forta Partizani dhe Egnatia. Këto dy ekipe më duket se janë në një nivel me Vllazninë dhe do rivalizojnë deri në fund. E them me plot gojën se Vllaznia mund ta fitojë titullin. Skuadra i afrohet titullit prej disa vitesh dhe këtë sezon e shoh shumë të fortë, më të fortë psikologjikisht dhe të aftë për të qenë kampione. Ia dëshiroj me gjithë zemër Vllaznisë dhe Shkodrës titullin.
Dy ndeshjet që mbyllin vitin 2024 janë kundër Laçit dhe Partizanit. Si i parashikoni?
Dy ndeshje shumë të forta, Laçi ka qenë gjithmonë i rrezikshëm, një kundërshtar i fortë për këdo. Po ashtu edhe Partizani, që luan gjithmonë për titullin kampion. Megjithatë, kam besimin se Vllaznia do dalë me rezultate pozitive dhe do ta mbyllë mirë 2024-ën.