“Enciklopedia e sportit shkodran” është libri i dalë nga shtypi kohët e fundit dhe që i kushtohet tërësisht historisë së sportit shkodran. Një enciklopedi e vërtetë në të cilën përfshihen rreth 3 mijë sportistë, me qindra tituj kampion, medalje e trofe. Autori i këtij libri mbi 700 faqesh është Dashamir Sherja.

Për ndokënd nga brezi aktual ndoshta një emër i panjohur por në fakt nuk është i tillë. Ai ka qenë një sportist kampion në atletikë. Ka lindur më 8 dhjetor 1942 në Tiranë por është rritur në Shkodër. Me atletikën dhe Vllazninë e nis herët, që në vitin 1956 por shkëputet prej saj për t’u rikthyer sërish në vitin 1965.

Merr pjesë në vrapimet e gjata,konkurron në 5, 10, 20 dhe 30 km vrapim në rrugë, në 3000 m/p dhe maratonë. Në vitin 1965 zë vende të treta dhe të katërta në takimet që zhvillon atletika, pikërisht në garat e 5 mijë dhe 10 mijë metrave. Në nëntor të atij viti fiton garën e maratonës me kohën 2 orë, 43 minuta e 11 sekonda, duke arritur normën e “Mjeshtrit të Sportit”, zë vendin e parë edhe si ekip dhe është vetëm pak sekonda larg rekordit kombëtar të kësaj gare.

Edhe në vitet që do vijnë më pas është i suksesshëm. Në vitin 1968, në garën e 30 km vrapim në rrugë është kampion kombëtar, ndërsa në vitin 1969 në Vlorë në garën e 20 km, thyen rekordin kombëtar. Më pas nuk do të mungojnë edhe vendet e dyta në vitet 1966, 1967, 1968, 1970, 1971 dhe 1972. Gjithnjë përveçse në aspektin individual, dha më të mirën edhe për ekipin e Vllaznisë.

Ka qenë anëtar i ekipit kombëtar në vitet 1966-1972. Shkëputet nga sporti në kulmin e formës sportive dhe dërgohet aksionist në fshat. Gjatë këtyre viteve, Dashamiri ka mbaruar edhe studimet për fiskulturë. Për një periudhë të shkurtër, në vitet 1975-76, ka qenë trajner në ekipin e vrapimeve të gjatë të atletikës së Vllaznisë.

Ka punuar si mësues në Bajzë dhe më pas kthehet në Shkodër ku e emërojnë shef i klubit sportiv Vllaznia. E ka drejtuar këtë klub nga prilli i vitit 1979 deri në vitin 1981. Që atëherë nuk është marrë më me sport por ka qendruar gjithnjë pranë tij.

Aq sa para dy vitesh ndërmori inisiativën për të botuar “Enciklopedinë e sportit shkodran” dhe ia doli me sukses duke na dhuruar nje liber qe do t’i qendroje kohes dhe do te jete nje vlere me teper per sportin shkodran dhe historine e tij.

Gjergj KOLA