Futbolli shpesh ka prodhuar histori fantastike. Nga ato histori që tregojnë qartë se sa shumë janë të lidhur tifozët me skuadrën e tyre të zemrës.
I tillë është rasti i tifozëve të Villarrealit: plot 17.173 të abonuar për sezonin 2020-2021. Gjithçka brenda normalitet, nëse ditët e sotme do të ishin normale, por COVID-19, prej shumë muajsh nuk e lejon praninë e tyre në stadium.
Madje, një pjesë e mirë e klubeve nuk e kanë hapur fushatën e abonimeve. Në Spanjë, te “Nëndetësja e Verdhë”, po ndodh e kundërta. Drejtuesit e klubit vendosën të bënin zbritje 60% krahasuar me vitin e kaluar, teksa numri i atyre që janë abonuar është vetëm 800 persona më pak se një vit më parë.
Tifozët nuk e dinë nëse do të kenë mundësi ta shohin skuadrën e tyre nga afër këtë sezon. Ata janë shumë të lidhur me ekipin, pasi futbolli për ta është gjithçka.
Villarreali mundi të debutonte në La Liga 23 vite me parë dhe raporti i klubit me tifozët është shumë i ngushtë. Ndaj, edhe në një moment të tillë, kaq delikat për të gjithë botën, gjesti i tyre është shumë domethënës.
Duket si një premtim që njerëzit u japin njëri-tjetrit vetëm kur martohen: “Derisa vdekja të na ndajë”. Klubi ka nevojë për të ardhura dhe për këtë qasje të pazakontë dhe për t’u marrë shembull, presidenti i skuadrës, Fernando Roig, ka falënderuar përzemërsisht tifozët. E thënë ndryshe, një dashuri pa kushte.