Mbrëmjen e djeshme Shqipëria është mundur nga Skocia me rezultatin 0-4 në “Loro Boriçi” dhe ish-tekniku De Biasi në një prononcim për mediat ka dalë në krahë të Panuçit, duke thënë se kjo ndeshje ishte shumë e vështirë, për më tepër që skuadrës i mungonin edhe shumë lojtarë si Roshi, Sadiku, apo edhe Hysaj së fundmi.
“Ishte situatë e vështirë për trajnerin, pasi skuadra ishte në inferioritet numerik ndaj një kundërshtari që vraponte shumë. Nuk ishte aspak e lehtë, pasi mungonin disa lojtarë, Roshi, Sadiku dhe tani Hysaj.
Ekipi nuk ishte i plotë dhe hasi në shumë vështirësi ndaj një skuadre të fortë. Unë dal në mbrojtje të trajnerit, pasi bën gjithçka mundet me futbollistët që ka në dispozicion”.
Sipas De Biasit, loja u vështirësua shumë në nomentin që kapiteni Mërgim Mavraj u largua nga loja me karton të kuq.
“Nuk ka shumë për të thënë.Për fat të keq pësuam gol që në fillim më pas luajtëm gjatë gjithë ndeshjes me 10 futbollistë.
Skocia është një skuadër e fortë, me lojtarë cilësorë në përbërje dhe që ishin në gjendje shumë të mirë fizike. Ishte një ndeshje shumë më e vështirë nga sa e imagjinoja”.