Opinion nga Ramadan BIGZA

Këto ditë, trajneri ynë i kombëtares dha një intervistë për një nga televizionet e njohur të vendit. Duke iu përgjigjur një pyetjeje, ai tha: “Kush nuk luan në skuadrën e tij, mbetet jashtë.Me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë. Nëse dikush ka ndonjë rëndësi të jashtëzakonshme, atëherë mund të shohim….”Jam plotësisht dakord me këtë mendim të Zotit De Biazi.

Është absurde t’i besosh vendin në kombëtare një futbollisti që nuk luan as për ngjyrat e ekipit të tij. Duke pranuar se kemi pasur raste të tilla, vlerësoj mendimin e trajnerit. Por një gjë nuk kuptoj.
Fjalën e kam për ata futbollistë që shkëlqejnë në vendet ku luajnë, megjithatë, nuk thirren në Kombëtare. Fjala është për talentin shkodran Xhevahir Sukaj. Jo vetëm pse ai shënoi dy gola në një ndeshje të ditëve të fundit, gjë e rrallë kjo për futbollistët tanë, që luajnë me ekipet e huaja, por për atë performancë që ai ka treguar gjatë gjithë këtyre viteve të karrierës së tij sportive.
Megjithatë, Sukaj, pa asnjë lloj arsyeje, ende është larg kombëtares, edhe pse dëshira e tij është të jetë pjesë e saj. Mendoj se kombëtarja jonë modeste nuk e ka atë luks sa të lërë jashtë saj një futbollist të këtij kalibri. Dua t’i kthehem një shkrimi të botuar kohët e fundit në një prej gazetave më prestigjoze të vendit dhe i shkruar me mjaft profesionalizëm nga një koleg i yni. Ai, mbështetur në fakte konkrete, si minutat e luajtura dhe golat e shënuar, e vlerësoi Sukajn si sulmuesin më rezultativ nga të gjithë sulmuesit e tjerë që luajnë në kampionatet e huaja. E megjithatë, askush nuk po kujtohet për shqiptarin të kthyer në hero me skuadrën e Sepahan të Iranit. E pra, ky rast tregon se jo gjithçka që thuhet bëhet realitet.
Trajneri ynë i kombëtares, Xhani De Biazi, jo pak herë ka deklaruar se në kombëtare do të luajnë ata që e meritojnë. Por rasti Sukaj flet se edhe italiani i është përshtatur shumë stilit shqiptar, duke përvetësuar thënien e njohur: “Të tjera bën, e të tjera thua”. Është vërtet e çuditshme. E kur kjo ndodh me një 25 vjeçar, çfarë mund të ndodhë me të tjerët?
Mendoj se çështja “Sukaj” është një problem që duhet zgjidhur. Ndër vite kam pasur mundësi të komunikoj me futbollistin tonë. Kam ndjerë nga afër dëshirën e tij për të veshur fanellën e ekipit kombëtar. Luajti jashtë, por nuk e grumbulluan. “Larg sysh e larg zemrës”, – thotë populli. Dhe ai u kthye për të luajtur me ekipin e tij të zemrës.
Por edhe pse shkëlqeu me Vllazninë, askush nuk u kujtua për t’i bërë një ftesë Sukajt për në kombëtare. Ai u largua përsëri për të luajtur jashtë, sepse thanë që kampionati ynë është i dobët. Arriti të shpallet kampion me skuadrën iraniane Sepahan, po shënon nga 2 gola në ndeshje, siç thuhet, është aktualisht sulmuesi shqiptar më në formë nga futbolistët e kombëtares që luajnë jashtë vendit e përsëri ai nuk thirret!
Çfarë ka bërë Xhevahir Sukaj që nuk grumbullohet në kombëtare, ndërkohë që gërmohen arkivat e ekipeve të ndryshme për të gjetur futbollistë, që ndoshta nuk njihen as në qytetin ku luajnë, mbetet jashtë pa asnjë farë arsyeje një futbollist i kalibrit si Sukaj.
Nuk e di nëse trajneri italian e njeh gjeografinë e futbollistëve tanë që luajnë jashtë vendit.Gjithashtu, nuk e di nëse ai e ka dëgjuar ndonjëherë emrin e Xhevahir Sukajt. Them kështu, sepse i pyetur gjithashtu në këtë emision televiziv se e shqetëson fakti që ka shumë sulmues në dispozicion, ai përgjigjet: “Jo, aspak. Më vjen keq vetëm për Kapllanin, sepse doja që ta ftoja kundër Gjeorgjisë, por fatkeqësisht, u dëmtua dhe do të qëndrojë rreth 6 javë jashtë”.
Tek lexon këto radhë, nuk mund të mos arrish në konkluzionin se trajneri ynë nuk e njeh fare fenomenin Sukaj, që sidoqoftë, është krejtësisht e papranueshme për një trajner që ka marrë përsipër të drejtojë kombëtaren e një vendi. Qënia në kombëtare nuk është thjesht një ambicie e një njeriu, por një ndjenjë e madhe për të veshur fanellën e Kombëtares, e cila sigurisht që duhet të jetë privilegj i më të mirëve. Dhe Sukaj është padyshim i tillë. Teksa shkruaj këto radhë, m’u kujtua një thënie e Xhevahirit, që më shumë se një thënie, është një thirrje:
“Shpresoj të marr një ftesë nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi. Besoj se e meritoj një ftesë, pasi aktualisht jam edhe në formën time më të mirë”. E megjithatë, askush nuk e vuri ujin në zjarr. Nga Kombëtarja jonë atij nuk i shkoj asnjë ftesë, madje qoftë kjo edhe për kortezi, paçka se ai e meriton plotësisht një gjë të tillë.
Xhevahir Sukaj, ky talent, është grumbulluar vetëm 1 herë me Kombëtaren dhe ka zhvilluar 15 ndeshje me Shpresën tonë, duke shënuar 5 gola. Talenti shqiptar është prodhim i Akademisë së Vllaznisë së Shkodrës, Sukaj ka parametrat e një futbollisti të kohës falë edhe konstruktit të tij fizik. Ai është i gjatë 1 metër e 84 cm dhe peshon 78 kilogramë.
Xhevahir Sukaj ka shënuar tetë gola për këtë sezon, duke qenë edhe golashënuesi i dytë më i mirë në kampionatin iranian. Futbollisti ynë ka marrë pjesë në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare me ekipet që është aktivizuar. Siç thotë edhe vetë, por siç tregojnë edhe faktet, ai po gëzon një formë shumë të mirë sportive. Por a do të kujtohen drejtuesit e Kombëtares për sulmuesin më të mirë aktual të Shqipërisë? 25-vjeçari nuk pret më.
Gjeorgjia le të jetë ftesa e parë për të besuar më shumë në ndeshjet e tjera. Nuk themi që ai duhet të jetë patjetër pjesë e formacionit, sepse është trajneri që vendos për këto punë, pra është një ekskluzivitet i punës, por për t’u grumbulluar e stërvitur me Kombëtaren, pra për të qenë pjesë e saj, është detyrë e trajnerit dhe e drejtuesve, që merren me këtë punë për ta thirrur atë në Kombëtare.
Aq më shumë kur pjesë e saj është tani edhe një nga kolegët e tij të ngushtë, siç është Vajushi. Diçka më shumë se një vit më parë, dueti Sukaj–Vajushi ishte në sinkron të plotë, duke u bërë futbollistët më të lakmueshëm të ekipeve shqiptare.
Nëse ai nuk thirret edhe për një ndeshje miqësore, siç është kjo me Gjeorgjinë, kemi të drejtë të pyesim se përse nuk thirret Xhevahir Sukaj me Kombëtaren? Detyra e një futbollisti është luaj mirë e të dallohet ndër të tjerët. Dhe Sukaj ka kohë që po e bën një gjë të tillë. Atëherë, përse ai nuk është pjesë e Kombëtares. A e ka kombëtarja jonë një luks të tillë që të lë jashtë saj futbollistë të këtij kalibri?