Eksperienca e dështuar në Spanjë te Deportivo Alavesh ka lënë përsëri Xhani De Biazin të papunë. Por brenda 24 orëve të ardhshme, ai mund ta shohë veten në pankinën e një skuadre në Serinë A.

Gjatë ditës së sotme, Davide Nikola ka dhënë dorëheqjen në mënyrë të papritur nga drejtimi i skuadrës së Krotones, të cilën jashtë çdo parashikimi arriti ta mbante edhe për një sezon në elitën e futbollit italian duke zhvilluar një mbyllje të jashtëzakonshme të edicionit 2016-2017.

Sipas mediave italiane, klubi është vënë menjëherë në kërkim të një zëvendësuesi dhe brenda ditës së nesërme pritet të zgjedhë mes kandidaturave që i janë ofruar apo që klubi ka kontaktuar vetë. Ekspertët e merkatos italiane insistojnë se emrat më të mundshëm janë ato të Di Karlos, Kolantuonos, De Biazit dhe Zengës.

Edhe pse ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare kishte deklaruar në të kaluarën se preferonte të qëndronte larg Italisë, një paraqitje e mirë në stolin e Krotones mund t’i hapte përsëri rrugë teknikut për t’u bërë pjesë e futbollit të rëndësishëm europian. /vipsport.al/