Për të evituar çdo përpjekje të skuadrës së Real Madrid, drejtuesit e Manchester United janë gati t’i ofrojnë një rinovim marrëmendës kontratës aktuale të portierit spanjoll David De Gea.
27-vjeçari është vënë në shenjestër nga skuadra “merengues” për ta rikthyer në La Liga sezonin tjetër, por Mourinho nuk dëshiron që portieri të largohet.
Aktualisht, De Gea përfiton 210 mijë stërlina në javë me kontratën e nënshkruar tri sezone më parë, por me kontratën e re ai do të prfitojë 350 mijë stërlina në javë, duke u bërë portieri më i paguar në botë.
Lajmin e ka konfirmuar sot e përditshmja britanike “Daily Star”, që shprehet se negociatat mes United dhe menaxherit të portierit kanë filluar dhe së shpejti pritet që të hidhet firma, duke e shtyrë kontratën që skadon pas një viti deri në verën e vitit 2022.
Kjo rritje e rrogës së De Gea do të ndihmohet edhe nga largimet e Zlatan Ibrahimovic dhe Marouane Fellaini sezonin tjetër, që kanë rroga të larta.
Portieri spanjoll ka luajtur 228 ndeshje me fanellën e Manchester United që nga vitit 2011, kur u transferua nga Atletico Madrid në Premier League./telesport/