Holanda humbet një element thelbësor për Europianin siç është Frenkie De Jong. Mesfushori ishte në garë kundër kohës pas dëmtimit në kavilje që pësoi gjatë sezonit me Barcelonën. De Jong nuk luante prej datës 21 prill pas dëmtimit në “El Clasico” ndaj Real Madrid, megjithatë emri i tij ishte në listën me 26 lojtarë të trajnerit Ronald Koeman për Euro 2024.

Të gjithë te “Tulipanët” shpresonin te rikuperimi në kohë i 27-vjeçarit. Por, në mbrëmjen e së hënës, Holanda lajmëroi se De Jong nuk do të jetë pjesë e skuadrës për Europian. Menjëherë reagoi edhe trajneri Koeman i cili nuk nguroi aspak të fajësonte Barcelonën për gjendjen e De Jong.

“Te Barcelona rrezikuan shumë më gjendjen fizike të De Jong dhe tani jemi ne që vuajmë pasojat”, u shpreh Koeman. Ndërkohë, vetë De Jong shprehu të gjithë zhgënjimin që nuk do të jetë pjesë e Euro 2024.

“Jam shumë i mërzitur dhe i zhgënjyer, në javët e fundit kemi punuar shumë, por për fat të keq kavilja ime do ende kohë që të rikuperohet. Është një ëndërr dhe nder që të përfaqësosh vendin në një kompeticion kaq të rëndësishëm, por tani si pjesa tjetër, unë do të bëj tifozllëk për kombëtaren”, u shpreh De Jong.

Holanda është pjesë e Grupit D së bashku me Francën, Poloninë dhe Austrinë.