Frenkie de Jong (27 vjeç) ka kontratë me Barcelonën deri më 30 qershor 2026. Klubi blaugrana ka bërë një përpjekje për ta rinovuar kontratën e tij gjatë sezonit të kaluar, por, siç zbuloi “Mundo Deportivo”, së fundi e ka konsideruar të skaduar ofertën për shkak të mungesës së përgjigjes nga mesfushori holandez.
Situata e tij aktuale ka ndryshuar dukshëm në krahasim me kohën kur klubi e bleu në vitin 2019. Në atë kohë, Frenkie ishte një talent në ngritje, i cili kishte mahnitur botën me paraqitjet e shkëlqyera tek Ajax. Barcelona investoi shumë për ta marrë në “Camp Nou”, duke mposhtur konkurrencën e klubeve si Manchester City dhe Paris Saint-Germain.
Pesë vite e gjysmë më pas, De Jong nuk konsiderohet më si lojtar i pazëvendësueshëm për Barcelonën, nuk ngjall më të njëjtin entuziazëm te tifozët blaugrana. Një sondazh i fundit i “Mundo Deportivo” mes anëtarëve të klubit tregon se shumica preferojnë që ai të mos rinovojë.
Më vendimtare në këtë rast është vullneti i Barcelonës dhe i vetë lojtarit. Ndjenja brenda klubit nuk është shumë pozitive për mesfushorin holandez. Në aspektin sportiv, Frenkie nuk shihet më si titullar fiks, ose si lojtar i rëndësishëm për skuadrën. Barcelona ka një numër të madh mesfushorësh të rinj e të talentuar që aktualisht janë përpara tij: Marc Casadó, Pedri, Gavi, Fermín, Dani Olmo dhe Marc Bernal (kur të rikuperohet nga lëndimi).
De Jong ka luajtur vetëm 13 ndeshje këtë sezon dhe ka qenë titullar në vetëm dy prej tyre. Në dy ndeshjet e fundit, ndaj Leganés dhe Atlético Madridit, ai nuk ka luajtur asnjë minutë.
Në klub, ndonëse vlerësohet cilësia e tij, mendohet se De Jong nuk ka treguar se është lojtar diferencial gjatë sezoneve të fundit. Nëse performanca e tij nuk përmirësohet ndjeshëm gjatë pjesës tjetër të sezonit, Barcelona nuk do të kërkojë rinovimin e tij, por përkundrazi, do të përpiqet ta shesë për të shmangur largimin si lojtar i lirë më 2026.
Nëse De Jong refuzon largimin, ai rrezikon të përfundojë në një situatë të vështirë: mungesë aktivizimi dhe izolim, veçanërisht në një sezon para Botërorit 2026, gjë që mund të ndikojë te pozita e tij në kombëtaren holandeze. Klubi do të preferonte ta shiste për të paktën 20 milionë euro, duke shfrytëzuar ende moshën dhe reputacionin e tij për të gjeneruar përfitim të konsiderueshëm financiar.