Emri i Matijs De Ligt është ai që ka qarkulluar më shumë këto ditë në mediat ndërkombëtare, pasi mbrojtësi holandez i Ajaksit dhe përfaqësueses është padyshim një nga emrat më të kërkuar në botë.

Lojtarit i duhet të zgjedhë mes shumë ekipesh të mëdha për të vazhduar karrierën e tij, por në deklaratat e fundit që ka lëshuar, duket qartë orientimi i tij drejt Juventusit, pasi atje luan një nga idhujt e fëmijërisë.

“Shpesh ndalem e mendoj që gjithçka ka kaluar shumë shpejt. Gjatë sezonit, në klub, apo gjatë aktiviteteve, nuk ke realisht kohën për të reflektuar. Por tani ka momente kur e kuptoj që gjithçka po ndodh nuk është normale.

Si pak kohë më parë, kur u organizua një darke me miq të fëmijërisë dhe u kujtua koha e vjetër”, tha De Ligt në një intervistë për ‘Voetbal International’.

“Arritëm aty në konkluzionin që gjithmonë dëshiroja të bëhesha Kristiano Ronaldo kur luanim futboll në oborr. Kjo ishte sidomos në epokën kur ai luante te Mançester Junajtid, Fanella ime e parë e futbollit ishte e tija”, tregoi De Ligt, duke shprehur hapur admirimin për portugezin i cili pak kohë më parë e ftoi t’i bashkohej te Juventusi. /vipsport/