Të shtunën ndaj Atletikos Matajs De Ligt luajti për herë të parë në krah të Kielinit. Mirëkuptimi në fushë arrihet duke luajtur shpesh, por ndeshja e holandezit nuk ishte nga ato të kohëve të Ajaksit. Disa mbyllje të mira, por edhe gabime, sidomos mënyra se si u kapërcye në rrjetën e dytë të Zhoao Feliks.
Në anën tjetër janë golat e pësuar nga “Zonja e vjetër”. 9 në 5 ndeshje janë shumë dhe një karakteristikë bardhezi dhe nuk po flasin për 93 milionë eurot e shpenzuar për përforcimin e prapavijës. Është ende verë, janë miqësore dhe Sarri e pranoi edhe vetë se ekipet e tij nuk janë kurrë gati që në ditën e parë të kampionatit.
Trajneri ka ende dy javë kohë për të zgjidhur problemet, por në verën e nisur me revolucionin në pankinë, të papriturat bëhen edhe më të pranueshme. Skuadrat e Sarrit, duke praktikuar mbajtjen e topit, nuk janë dalluar ndonjëherë për mbrojtje të dobëta, ndaj është e qartë se duhen vajisur mekanizmat.
BOSHLLËQE – Goli i dytë i Zhoao Feliksit në Stokholm nxori edhe një herë në pah vështirësitë e De Ligtit, i rritur tek Ajaksi e i katapultuar te Juvja me peshën e 75 milionë eurove (plus 10 milionë euro komisione Raiolës) që u paguan për kartonin e tij. Portugezi i “Los Colchoneros” është 19 vjeç, po aq sa holandezi bardhezi, por ka dallim mbi të luajturin në sulm dhe të qenurit kolonë e prapavijës.
Vera e vështirë e De Ligtit nisi në Kinë, kundër Totenhemit. Sapo ai zbriti në fushë, skuadra pësoi golin e disavantazhit (2-1), teksa fitorja e “Spurs” erdhi pas gabimit individual të Rabios. Në atë takim, Matajs luajti krah Demiralit, teksa në sfidën pasardhëse kundër Interit, Sarri e vendosi pranë Bonuçit.
Debutimi si titullar me fanellën e re u njollos nga një autogol. Sikur të mos mjaftonte ajo paraqitje, disa ditë më pas Juvja luajti ndaj një përfaqësueseje të kampionatit korean duke pësuar tre gola. Frymëmarrja për De Ligt erdhi ndaj Novarës. Përveç golit të holandezit, ajo është e vetmja miqësore ku “Zonja” doli e pandëshkuar nga rivalët.
Dalja e fundit kundër Atletikos është histori e njohur, ndaj Sarri për të mbrojtur investimin e klubit, por edhe për të pasur rezultat mund të synojë që në kampionat të luajë me gardën e vjetër. Pa Barxaljin, BonuçiKielini duket dyshja që jep më garanci në prapavijën e Juventusit, në pritje që De Ligt të tregojë vlerat e shfaqura me fanellën e Ajaksit.