Matthijs de Ligt po hetohet nga policia gjermane. Futbollisti i Bayern Munichut është akuzuar se mëngjesin e të mërkurës, më 7 gusht, përplasi një makinë që ndodhej pranë ambienteve të klubit dhe më pas vazhdoi rrugën pa u ndalur. Një akt që tashmë mund të sjellë pasoja për goditjen e një automjeti dhe arratisjen, duke shmangur përgjegjësitë e tij.
Një ngjarje që ka një dëshmitar që vëzhgoi të gjithë aksidentin dhe ngriti alarmin në polici.Informacionet që janë mbledhur nga gazeta gjermane BILD në të cilat thuhet se Audi Q8 e-tron e De Ligt ka qenë ai që ka shkaktuar dëmin dhe automjeti tjetër është dashur të tërhiqet.
Policia tani po heton për dëmet e pësuara. Prandaj, në këtë moment është e nevojshme të “dëshmohet se ylli i Bayernit e ka perceptuar aksidentin akustikisht, vizualisht ose në mënyrë të prekshme”, ka thënë ekspertja Katharina Theuerkaufer për gazetën gjermane.
Edhe pse mund të duket e pabesueshme, mund të ketë pasoja shkatërruese për karrierën e futbollistit 24-vjeçar, i cili ishte pjesë e skuadrës së Holandës në Euro 2024.
Nëse shpallet fajtor, De Ligt mund të përballet me një dënim deri në tre vjet burg për shkak se ka ikur pa u kujdesur për pronarin e automjetit të prekur ose pa marrë përgjegjësinë për atë që ka ndodhur, megjithëse kjo nuk është më e zakonshme. Më e shpeshta në këto raste është sanksioni me gjobë financiare pasi nuk ka të lënduar. /Telegrafi/