Në këtë merkato verore u transferua nga ekipi i njohur i Celtic drejt kampionatit anglez. Fjala është për Rocco Vata, i cili gjatë kësaj vere iu bashkua ekipit të njohur të Watford. Për të vijuar kështu karrierën e tij në Championship, ligën e dytë për nga rëndësia në Angli. Dhe aventura e futbollistit me origjinë shkodrane duket se ka nisur në mënyrën e duhur me “grerëzat”.
Mbrëmë ekip i Watford ka zbritur në fushë në kuadër të turit të parë kualifikues të EFL Cup. Verdhezinjtë u përballën në shtëpi me MK Dons, ndaj të cilëve triumfuan në shifrat 5-0. Duke u kualifikuar në këtë mënyrë në turin tjetër të kupës së Anglisë. Si titullar në fushë për Watford u paraqit edhe Vata. Me 19-vjeçarin që pavarësisht se nuk shënoi, zhvilloi një paraqitje shumë pozitive.
Në rolin e mesfushorit të avancuar, Vata qëndroi në fushë deri në minutën e 62-të të ndeshjes. Duke marrë një vlerësim goxha të lartë në përfundim të ndeshjes për performancën e tij. Nota që u vlerësua ishte 7.8, një vlerësim goxha i lartë duke parë që futbollisti nuk ka shënuar gol. Por kontributi i tij në ndeshje ishte shumë i rëndësishëm.
Rocco Vata, djali i ish-kapitenit të kombëtares, Rudi Vata , konsiderohet si një prej talenteve më të mirë në Europë. Aktualisht ai ende nuk ka zgjedhur përfundimisht se cilën kombëtare do përfaqësojë. Aktualisht ai mban nënshtetësisnë irlandeze, por në të ardhmen mund të përfaqësojë ngjyrat kuqezi të kombëtares shqiptare.
Endri ÇINARI