Nga Endri ÇINARI

Këtë sezon në Superiore deri më tani gjyqtarët nuk kanë qenë një faktor në ndeshje. Pavarësisht gabimeve të vogëla që nuk kanë ndikuar në rezultate. Por në nivelin më të lartë të futbollit tonë ka edhe disa fytyra të “reja” përsa i përket arbitrimit. Një prej atyre që ka bërë debutimin në Superiore është edhe Ditmir Grimci.

Gjyqtari i kolegjiumit të Shkodrës pas viteve në një performancë të lartë në Kategorinë e Parë dhe atë të Dytë tashmë është edhe pjesë e Superiores. 33-vjeçari ka qenë pjesë si gjyqtar i katërt në 3 ndeshje të Superligës këtë sezon. Duke pritur ndoshta momentin e tij të arbitrojë si kryesor apo edhe si asistent.

Në Kategorinë e Parë këtë sezon, Grimci ka arbitruar po ashtu 1 ndeshje si kryesor e gjithashtu 1 takim si kryesor në Kategorinë e Dytë. Rritja profesionale e gjyqtarit shkodran duket se është parë me sy të mirë nga drejtuesit e FSHF. Që ka vendosur që Grimci tashmë të jetë edhe pjesë e Superiores.

Grimci në këtë sezon i është bashkuar edhe Myrtjes, Beges dhe Podgorices si gjyqtarë nga Shkodra që janë pjesë e Superligës. Një vlerësim edhe për kolegjiumin shkodran, që patjetër duhet të jetë më i përfaqësuar në Superiore.