Sezoni i Superiores për edicionin 2024-25 do ngrejë sipari në datën 18 gusht. Në këtë mënyrë ekipet e elitës së futbollit tonë do zbresin në fushën e lojës. Përjashtim nuk bën as Vllaznia, me shkodranët që debutimin sezonal do e bëjnë kundër Partizanit. Me një ndeshje që do luhet në transfertë për të besuarit e trajnerit Brdaric.

Patjetër nga shumë tifozë në Shkodër pritet me kureshtje ky edicion i kuqebluve dhe po ashtu performanca e tyre në kampionat. Ku pavarësisht eleminimit në Conference League që në turin e parë, pretendimet e shkodranëve janë goxha ambicioze në kampionat. Debutimet e Vllaznisë në sezonet e fundit kanë qenë në 75% të rasteve me fitore.

Duke nisur kështu nga sezoni i shkuar 2023-24, ku Vllaznia e hapi edicionin me një fitore 3-1 në shtëpi kundër Kukësit. Në sezonin 2022-23, debutimi i shkodranëve në kampionat do ishte me humbje. Ku për habinë e të gjithëve do mposhteshin me shifrat 1-0 në transfertë nga Erzeni, një ekip i sapo ngjitur nga Kategoria e Parë në ato momente.

Për të vijuar me sezonin 2022-23, Vllaznia do debutonte me një fitore spektakolare në shifrat 3-5 në transfertë ndaj Laçit. Po ashtu sezoni 2021-22 që përkon me sezonin e parë dhe debutues të Brdaric me Vllazninë do niste me fitore për kuqeblutë që mposhtnin 2-0 ekipin e Apolonisë. Pra, statistika pozitive këto të shkodranëve që do duan ti pasurojnë edhe me startimin e Superiores në muajin gusht.
Endri ÇINARI