Sfida ndaj Lushnjës pati disa momente pozitive për Vllazninë dje. Së pari, fitorja e arritur. Së dyti, distanca që rritet me Teutën dhe shkon në tri pikë dhe njëherësh, diferenca vetëm një pikë me Kamzën.
Jo vetëm kaq, por pozitiv ishte edhe fakti që shënuan të dy sulmuesit kryesorë, Ribaj e Sukaj.
Mirëpo, një tjetër pozitive e ndeshjes ishte edhe debutimi perfekt për një prej lojtarëve që vjen nga akademia.
Belajd Pusi u aktivizua për herë të parë në Kategorinë Superiore. Djaloshi 20-vjeçar mori besimin e trajnerit Gjoka dhe në minutën e 80-të preku për herë të parë fushën e “Loro Boriçit” për një ndeshje të elitës së futbollit shqiptar.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai ka treguar shkurtimisht emocionet e golit që në ndeshjen e tij të parë me kuqeblutë.
“Goli im i parë me Vllazninë është një ëndërr e bërë realitet. Është një gol që më motivon për të punuar akoma edhe më shumë, në mënyrë që të rritem edhe më shumë si lojtar.
Unë shpresoj që jo vetëm të kem sërish minuta, por edhe që të shënoj të tjerë gola për Vllazninë.
Falënderoj shumë profesor Nestin dhe stafin për besimin si dhe shokët e ekipit për mbështetjen”, është shprehur Pusi.