Lojtari i ri i Juventusit, Dejan Kulusevski, shprehu fjalët më të mira për trajnerin e kampionëve të Italisë, Andrea Pirlo.
Pas fitores 3-0 ndaj Sampdorias, ku ai shënoi golin e parë, futbollisti suedez vlerësoi Pirlon për besimin që tregon ndaj lojtarëve.
Ndër të tjera, Kulusevski tregoi se kur Juventusi kryesonte me rezultatin 2-0, Cristiano Ronaldo e udhëzonte për të sulmuar më shumë, në mënyrë që të shënonin akoma.
Debutimi me Juventusin – “Ishte një mbrëmje fantastike. Nuk ishte e thjeshtë, por morëm 3 pikë dhe fituam 3-0. Jam i kënaqur që shënova në debutim”.
Pirlo – “Ai është shumë i qetë, beson te lojtarët dhe u jep shumë besim. Është e lehtë të luash për të. Ai më lejon që të luaj dhe në këtë mënyrë mund të argëtohemi”.
Cristiano Ronaldo – “Jam me fat që e kam shok skuadre, është fantastik. Kur rezultati ishte 2-0, ai vazhdonte të më thoshte se duhej të sulmoja akoma. Ai dëshironte të shënonim prapë, është vërtetë i uritur”.