Enis Çokaj debutoi ditën e djeshme me Kombëtaren shqiptare në fitoren e thellë 5-0. 22-vjeçari nga Kopliku u aktivizua në minutën e 81-të, ndërsa u bë lojtari i 46-të që trajneri Reja ka përdoruar që nga ardhja e tij në stolin e Kombëtares shqiptare.

Pas ndeshjes, mesfushori i Lokomotivës së Zagrebit për FSHF-në u shpreh tepër i lumtur për këtë debutim pasi arriti të plotësonte ëndrrën e tij që një ditë të luante për Kombëtaren e madhe. Në fund, Çokaj beson se kuqezinjtë mund të arrijnë vendin e dytë dhe sfidat e tetorit do të jenë vendimtare.

“Jam shumë i lumtur me këtë fitore pasi morën edhe vendin e dytë në klasifikim. E prisja këtë debutim dhe jam shumë i gëzuar pasi kjo ka qenë ëndrra ime që i vogël që një ditë të luaja për Kombëtaren dhe sot e arrita. Skuadra në çdo ndeshje është e karikuar dhe besoj se në çdo ndeshje do të japim 100% në fushë.

Kam shumë besim se mund të dalim të dytë në këto eleminatore. Ndeshjet e tetorit janë shumë vendimtare pasi luajmë ndaj Hungarisë dhe Polonisë e besoj se do të dalim fimtar pasi ky grup do të arrijë shumë lartë.

Tifozët? Këto ndeshje që kemi luajtur në Shqipëri, ata kanë qenë lojtari i 12 dhe i presim në ndeshjet e tjera”, u shpreh Çokaj./newsport/