Ndeshja e të shtunës e Shqipërisë kundër Skocisë në Ligën e Kombeve mund të rezultojë vendimtare për përfaqësueset dhe ecurinë e tyre të mëtejshme në turne. Ndaj UEFA ka vendosur që këtë sfidë në vendin tonë ta drejtojë një gjyqtar me shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare, edhe pse nuk ka drejtuar në nivelet më të larta.

Vladislav Bezborodov nga Rusia është emri i caktuar për të drejtuar duelin e të shtunës, një gjyqtar i cili është në moshën 45-vjeçare dhe po i afrohet fundit të karrierës së tij në këtë profesion. Bezborodov është arbitër ndërkombëtar që në vitin 2009, ndërsa ka drejtuar rregullisht ndeshje kualifikuese në turnetë ndërkombëtarë të UEFA e FIFA për kombëtare si dhe sfida të fazës së grupeve në Ligën e Europës.

Ai ka filluar karrierën si gjyqtar shumë vonë, pasi më parë ka qenë një futbollist, duke luajtur si sulmues në klube të ndryshme mes të cilave Ventspils, Zenit, Dinamo Minsk apo Shakhtjor Soligorsk.

Ai nuk ka drejtuar asnjëherë në vendin tonë, por ka kontakte me futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare, pasi ka drejtuar në vitin 2009 duelin e Ligës së Europës mes Rapid të Vjenës dhe Vllaznis që u mbyll me shifrat 5-0 për skuadrën austriake. Ajo ishte ndeshja e parë zyrtare e Bezborodov si gjyqtar kryesor në një kompeticion evropian për klube. /vipsport/

Gjyqtarët
Kryesor: Vladislav Bezborodov (Rusi)
Asistentë: Valeri Dançenko, Maksim Gavrilin
Gjyqtar i katërt: Aleksej Lunev
Gjyqtarë të linjës: Aleksej Jeskov, Sergej Ivanov
Vëzhgues i gjyqtarëve: Kaj Natri (Finlandë)
Delegat i UEFA-s: Çarls Shak (Luksemburg)