Trajneri Dervish Haxhiosmanoviç ka qenë edhe dje në Shkodër. Ai është njoftuar në lidhje me ndeshjen miqësore që ekipi i Vllaznisë do të zhvillonte ndaj atij U-19 të Akademisë dhe për këtë arsye, nga Podgorica ka kaluar kufirin për të qenë në qytetin shqiptar që tashmë e ka shumë për zemër.

Ai e ka ndjekur ndeshjen nga tribuna VIP e stadiumit “Loro Boriçi” krahas drejtorit sportiv Armir Grima si dhe bashkë me Ramazan Rragamin, Vioresin Sinanin, Amarildo Belishën e të tjerë që ishin të pranishëm aty. Në fund të ndeshjes, i pyetur nga mediat për praninën e tij në Shkodër, ‘Deda” është përgjigjur:”Në fakt unë jam ende nën kontratë me Vllazninë (shënim: kontrata ekzistuese i mbaron më 31 maj). Por këtë herë nuk erdha si trajner por si menaxher. Vllaznia është një pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe nuk mund të qëndroj larg saj. Dëshira është që të firmos sërish kontratën e re dhe kam filluar të bëj planet për mënyrën si mund të ndërtohet skuadra. Më pëlqyen disa lojtarë të rinj dhe ata mund të jenë me ekipin në fazën përgatitore”. Kaq ka thënë Haxhiosmanoviç. Ai ndoshta e bën fakt të kryer megjithatë asgjë nuk duket konkrete për një kontratë tjetër të tij me Vllazninë. Kjo ngaqë po flitet për ardhjen e një presidenti të ri dhe kuptohet që ai ka preferencat e veta e kjo është logjike.
© shkodrasport.com