Pak kohë më parë është nderuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga ana e Presidentit të Republikës për punën e bërë prej vitesh me mundjen shkodrane. Dedë Bregu ndjehet krenar për atë çfarë ka bërë por nga ana tjetër, mendon se mund të bëjë më tepër për të. Megjithatë meraku më i madh është nëse do jetë gjallë në momentin kur do të ndërtohet palestra e mundjes së Vllaznisë. Po i afrohet të 70-tave dhe sigurisht që ndjen se gjërat nuk po marrin zgjidhjen e duhur prandaj dhe e ka një merak të madh.
Për më tepër që nuk bëhet fjalë për ndonjë shpenzim të madh nga ana e Bashkisë Shkodër. “Për të hyrë në palestrën e re duhen jo më shumë se 3 milionë lekë të vjetra. Mjafton të përfundojë së ndërtuari sepse gjërat e tjera zgjidhen më pas|-ka thënë trajneri Bregu. Bashkia e ka miratuar vendin për ndërtimin e kësaj palestre teksa janë 175 m2 poshtë shkallave të stadiumit dhe mbetet vetëm rrethimi i saj dhe shtrimi me beton. Pavarësisht kërkesës së vazhdueshme për ndërtimin e kësaj palestre, Bashkia ende nuk e ka marrë përsipër një gjë të tillë. Ndoshta fakti që po punohet për hartimin e projekt-buxhetit të ri për vitin 2012, do të bëjë që edhe kjo palestër të përfshihet në investimet e saj.”Punojmë çdo ditë në kushte skandaloze në një dhomë 4 me 4 dhe jo palestër. Pavarësisht se në kushte të tilla, kemi nxjerrë kampionë si individë dhe jemi prej tre vitesh nënkampion si ekip. Mjafton kjo për të treguar se nëse do kishim kushte më të mira, rezultatet do ishin edhe më të larta”-ka thënë trajneri Bregu.