Barazimi në Shkodër i Vllaznisë ndaj Partizanit, i zhgënjeu shumë shkodranët, sepse me një trepikësh, Vllaznia do të parakalonte Partizanin dhe do të ishte ngjitur në vendin e katërt dhe madje do të ishte shumë pranë edhe të tretit.
Nevil Dede ka folur në lidhje me ekipin shkodran, teksa u shpreh se te kuqeblutë nuk ka më fantazi dhe guxim.
Trajneri Dede theksoi se Vllaznisë i ka ikur edhe entuziasmi mbi të gjitha dhe kjo ndoshta mund të ketë ndikuar në ecurinë e fundit të shkodranëve.
“Te Vllaznia më bën përshtypje diçka. Ndoshta nuk është korrekte të flasim, por trendi i gjithë skuadrave po kthehet i tillë.
Domethënë, përveç fitoreve të Kastriotit, diferencës së madhe të Tiranës, të gjithë ekipet e tjera kanë pak fantazi, pak krijimtari, mos të them aspak, shumë frikë, zero guxim dhe këtë e kam parë edhe tek Vllaznia. Vllaznisë i ka ikur entuziasmi mbi të gjitha. Nuk ka më zotërimin e topit. Ka pak vertikalizime.
Gjendja e dy mesfushorëve të qendrës, nuk është më ajo e dy fazave të para. Gurishta, që vjen nga dëmtimi, nuk është më ai Gurishta, që jemi mësuar ta shohim”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri Nevil Dede.
Maringlen ZHIVANI